Lajme
Qeveria Kurti hesht për pagesën e rrymës për serbët në veri, vetëm për dy vite u paguan mbi 113 milionë euro
Demokracia
09:29 | 18 Nëntor 2023

Share:

Qeveria Kurti po e kalon në heshtje të madhe pagesën e vazhdueshme të energjisë elektrike për serbët në veri.

Vetëm në vitin 2021 dhe 2022 Qeveria ka paguar mbi 113 milionë euro energji për serbët. Ende nuk duhet se sa është paguar për vitin 2023 dhe sa do të paguhet për vitin e ardhshëm. Kur VV-ja ishte në opozitë kritikonte ashpër qeveritë e kaluar për një pagesë të tillë, ndërsa tani kur është në pushtet nuk flet për këtë çështje.

Vazhdimi i kësaj pagese po konsiderohet si absurde.

Opozita dhe shoqëria civile e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për vazhdimin e kësaj praktike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se projekti i vetëm “madhor” i kësaj qeverie vazhdon të mbetet pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se vetëm në vitin 2021 dhe 2022 Qeveria Kurti ka paguar mbi 113 milionë euro energji për serbët, shkruan Nacionale.

Dje, Kuvendi i Kosovës, me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, miratoi projekt-buxhetin e katërt të Qeverisë Kurti. I vetmi projekt “madhor” i kësaj qeverie vazhdon të mbetet pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri. Mbi 113 milion euro të paguara vetëm për vitet 2021 dhe 2022, ndërsa dhjetra miliona borxhe për vitin 2023. Mbetet të shihen humbjet milionshe në vitin 2024”, ka shkruar Tahiri.

Edhe analisti politik Afrim Kasolli ka kritikuar Qeverinë Kurti për këtë pagesë.

Para pak dite, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për buxhet, punë dhe transfere, kryesuesi i bordit të KOSTT-it Jeton Mehmeti dëshmoi se si vetëm për vitin 2022 janë paguar 63.2 milionë euro nga buxheti i shtetit të Kosovës për shpenzimet e rrymës nga serbët e veriut. Kurse, për dy vitet e fundit kjo shumë kap shifrën deri ne 110 milionë euro. Këtë pagesë e ka bërë ekzekutivi nga mjetet e taksapaguesve të Kosovës. Dhe ato transfere janë kryer pa zhurmë, “fshehtas” nga publiku, dhe pa asnjë ankesë publike nga përfaqësuesit e pushtetit. Thuajse ato mjete financiare të ishin paratë e tyre private dhe jo nga arka e të gjithë qytetarëve të shtetit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se krejt ndryshe Qeveria ka vepruar më kërkesat e Policisë së Kosovës për shtesat e rrezikshmërisë.

Ndërkohë, kur para pak ditë pjesëtaret e Njësisë Speciale të Kosovës kërkuan kthimin e shtesave të tyre të rrezikshmërisë, nuk la i madh e vogël nga ky pushtet pa i denoncuar këto kërkesa. Një “armatë” e tërë politike në krye me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Kryeministrin Albin Kurti, thuajse i shpallën ato si plëngprishëse, shprehje e makutërisë së pjesëtarëve të kësaj njësie që nuk kanë konsideratë për rrethanat në të cilat ndodhet shteti, varfërinë dhe mjerimin shoqëror. Madje u përmend sesi të njëjtit i paskan marrë nga 2000 mijë euro rrogë dhe institucionet e shtetërore u kane blerë pajisje të punës deri në 10.000. E ku vetëm dje u mor një vendim për rikthimin e shtesave të rrezikshmërisë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se heshtja e Qeverisë rreth pagesës se serbëve për rryne dhe zhurma ndaj kërkesave të policisë, tregon fytyrën e ekzekutivit.

“Në këtë kontekst, kjo heshtje tinëzare e këtij pushteti për shpenzimin e miliona eurove për shkak të pagesës së rrymës për serbët e veriut dhe zhurma e panevojshme dhe neveritëse që u bë kundër Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, e tregon fytyrën e vërtetë të tij”, ka shkruar Kasolli.

Ndërsa, analisti Shenoll Muharremi e ka quajtur marrëzi vazhdimin e pagesës së rrymës për serbët.

Kjo marrëzi duhet të përfundoj menjëherë: Gati 200 milion euro për pagesat e rrymës së veriorëve (2021-2023). Janë gati 200 milion euro që janë paguar për rrymën në veri për 3 vite (2021-2023). Kaq para publike Kosova nuk ka japur në total për t’i ndihmuar prodhuesit dhe bizneset tona që janë nën presion. Nuk është ironi ky krahasim, është e vërtetë. 25 milion në vit është buxheti total i ministrisë përgjegjëse për sektori privat, industri e eksport. E as bashkë me subvencionet dhe grantet e ministrisë së bujqësisë nuk e kalon këtë buxhet të falur për disa qytetarë të vendit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se kjo praktikë është pa arsyeshme. “Nuk ka arsye e as logjikë, as qëndrueshmëri. Një akt budallakie. Mbi të gjitha diskriminim për qytetarët që paguajnë qindëra euro rrymë çdo muaj, e kanë të hyra minimale për jetesë. Kjo marrëzi duhet të përfundoj menjëherë. Për 24 vite kjo shifër mund të kap ndoshta mbi 1 miliardë euro, nga taksat e qytetarëve më të varfër në Europë”, ka shkruar Muharremi.

Të ngjashme