Lajme
“Qeveria e Shpresës” | Afro 300 mijë qytetarë u pajisen me pasaporta në vitin 2023, priten ikje masive
Demokracia
10:28 | 01 Janar 2024

Share:

“Qeveria e shpresës”, kështu e pagëzuan koalicionin LVV – Guxo kur i fituan zgjedhjet dhe tani po udhëheqin me vendin.

Por, a i ka dhënë shpresë qytetarëve kjo Qeveri?

Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës zyrtarisht mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, shkruan Demokracia.com.

Ata mund të lëvizin pa viza për 90 ditë, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Parashikimet janë se shumë qytetarë pritet të emigrojnë jashtë vendit.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 297 mijë e 560 persona janë pajisur me pasaportë të Kosovës gjatë vitit 2023.

Agjencitë turistike thonë se ka një interesim të shtuar për bileta, në krahasim me vitin e kaluar.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka publikuar  barometrin për vitin 2023 për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga këto të dhëna del që Kosova është vendi më përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre, pra më 57 për qind.

Sipas parashikimeve ekonomike, emigrimi pas liberalizmit të vizave mund të ulë remitancat nga diaspora, e cila ndër vite ka qenë një “infuzion” ekonomik për Kosovën.

Po ashtu, largimi pas liberalizimit të vizave do të ketë ndikim në tregun e punës edhe brenda vendit.

Rritja e çmimeve, rritja e inflacionit, pagat e vogla, jo shumë vende pune, janë disa nga arsyet pse shumë qytetarë po e mendojnë largimin nga vendi.

Migrimi i qytetarëve nuk duket se do t’i shqetësojë shumë pushtetarët. Të paktën kështu thonë në deklarata publike. Gjatë vitit 2023, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se “migrimi i qytetarëve është normal”.

Hipokrizia e qeverisë Kurti në maksimum | Dikur fajësonin qeveritë për ikjen e qytetarëve, por tani po e quajnë normale

Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa tha se kjo “është diçka normale”.

“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore, ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha ai.

Por, në vitin 2013, Lëvizja Vetëvendosje e fajësonte Qeverinë e atëhershme për ikjen e qytetarëve nga vendi. Madje, vetë Kurti kishte thënë se arsyeja kryesore e ikjes së qytetarëve ishte gjenjda ekonomike dhe mungesa e lidhjes mes ekonomisë dhe arsimit.

E për parandalimin e ikjes së qytetarëve, Kurti kishte përmendur një mori premtimesh, të cilat as që ka nisur t’i realizojë për gati 3 vjet qeverisje. /Demokracia.com/

Të ngjashme