Lajme
Hipokrizia e qeverisë Kurti në maksimum | Dikur fajësonin qeveritë për ikjen e qytetarëve, por tani po e quajnë normale
Demokracia
12:21 | 10 Maj 2023

Share:

Ikja nga Kosova që një kohë të gjatë është shndërruar në fenomen. Mijëra qytetarë janë larguar nga Kosova, për një apo arsye tjetër, duke e tkurrur popullsinë e Kosovës. Madje, në bazë të statistikave zyrtare, ndërmjet viteve 2013 deri në fund të vitit 2022, gjithsej 252 mijë njerëz kanë zgjedhur të ikin nga Kosova.

Më së shumti Kosovarë kanë ikur gjatë vitit 2014, 2015 dhe 2021, kohë kur qeverinë kosovare e udhëhiqte Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Albin Kurti respektivisht. Pra Mustafa, Thaçi e Kurti, përkundër që ishin kundërshtarë politikë, ata ndajnë rekordin e zi për ikjen e qytetarëve.

Por, sot krejt normale po e sheh ikjen e qytetarëve zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Kështu ka deklaruar gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Integrime.

Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka pasur gjithmonë tendenca për migrim, ndërsa tha se kjo “është diçka normale”.

“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha ai.

Por në 2013 Lëvizja Vetëvendosje fajësonte Qeverinë e atëhershme për ikjen e qytetarëve nga vendi. Madje, vet Kurti kishte thënë se arsyeja kryesore e ikjes së qytetarëve ishte gjenjda ekonomike dhe mungesa e lidhjes mes ekonomisë dhe arsimit.

E për parandalimin e ikjes së qytetarëve Kurti kishte përmendur edhe banesat për çiftet e reja, premtim ky i Kurtit e që deri më tani ende nuk është realizuar.

Ndonëse Kosova u qeveris nga shumë kryeministra, asnjëri nga ta nuk arriti të krijojë kushte të mjaftueshmë që qytetarët të mos largohen nga vendi. Sepse, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për 9 vite nga Kosova janë larguar 252,904 njerëz.

Rekordin e zi për ikjen e qytetarëve e mban bindshëm Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës. Vetëm gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij, Kosovën e lëshuan 75 mijë njerëz.

Të ngjashme