Lajme
Qeveria e çudirave: Ejup Maqedonci përgatitej për drejtor të AMIK-ut dhe po përfundon si Ministër i Mbrojtjes
Demokracia
10:06 | 08 Gusht 2023

Share:

Ditë më parë, Demokracia.com kishte raportuar se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti ishin përcaktuar që një njeri të afërt me ta brenda FSK-së ta bënin drejtor të Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Në krye të kësaj agjencie të re, pritej të emërohej ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili madje edhe kishte dhënë dorëheqje prej FSK-së në pritje të marrjes së detyrës së re.

Largimin e tij nga FSK e kishte bërë të njohur edhe vetë ministri Mehaj në një postim falënderues, i cili ka disa ditë që i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Kurti për shkak të pakënaqësive të tij.

Por, duke mos pasur njerëz, i përzgjedhuri i tyre për drejtor agjencie, që kishte dalë në pension të parakohshëm, po pritet ta zëvendësojë ish-shefin e tij Armend Mehajn, të cilin deri vonë e këshillonte.

LEXO EDHE:

Pritet dorëheqja e Mehajt, i pakënaqur me politikën antiamerikane të Kurtit dhe në ‘fërrkë’ me zëvendësin e tij

Mehaj kishte treguar vetë se Maqedonci kishte dalë në pensionim të parakohshëm.

“Shembull krenarie për kontributin e tij dhënë atdheut përplot 25 vite, fillimisht si pjesëtar i UÇK-së, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit, më pas në uniformën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si komandant për një dekadë i Batalionit të Kërkim Shpëtimit (1999-2009), për të vazhduar kontributin si pjesëtar i FSK-së në detyrën Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm. Së fundi me një bagazh të tillë përplot detyra e përgjegjësi nuk kishte se si të mos shihej si i domosdoshëm kontributi i tij edhe në Kabinetin Qeveritar e Ministror si Këshilltar Ushtarak për Mbrojtje dhe Siguri, përvoja e të cilit bashkëdyzuar me njohuritë e fituara gjatë shkollimit në Kolegjin e Luftës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si i diplomuar nderi, përbënin një aset në aspektin strategjik, si hallkë tejet e rëndësishme në implementimin e politikave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Andaj sot vërtetë kisha nderin të pres në takim të veçantë, Kolonel Ejup Maqedoncin, i cili përfundoi karrierën ushtarake si oficer aktiv më 10 korrik të këtij viti, duke kaluar në pension të parakohshëm për të ofruar kontributin e tij tashmë në një detyrë të re.”, ka shkruar Mehaj.

Lidhur me pozitën e re që pritej ta merrte Maqedonci, atë nuk kishin hezituar uronin edhe familjarët e tij dhe të postonin në profilin e tij, ku edhe komentet nuk kanë munguar edhe duke i uruar, pa u emëruar ende zyrtarisht drejtor.

LEXO EDHE:

I sapopensionuari prej FSK-së pritet të bëhet drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar

Tani fatlumi Ejup Maqedonci, pas dorëheqjes së Armend Mehajt, e cila së shpejti pritet të zyrtarizohet, po pritet që ta zëvendësojë atë si Ministër i Mbrojtjes dhe jo më të merrte detyrën për të cilën kishte dhënë dorëheqje, që të bëhej drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme