Lajme
I sapopensionuari prej FSK-së pritet të bëhet drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar
Demokracia
20:33 | 27 Korrik 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me bashkëshortin e saj, diplomatin kontravers Prindon Sadriu, prej ardhjes në pushtet ishin përqendruar në kapjen e institucioneve të sigurisë, duke tentuar të marrin nën kontroll çdo informacion të rëndësishëm. 

Pas Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ku ishte sistemuar një mik i Prindon Sadriut, tash edhe një tjetër i afërt me grupin e tyre pritet ta marrë drejtimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Në krye të kësaj agjencie të re, pritet të emërohet ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com nga burime brenda kabinetit të presidentes Osmani ka mësuar se ajo dhe kryeministri Albin Kurti kanë rënë dakord që në krye të AMIK të emërohet Ejup Maqedonci.

Maqedonci tashmë e ka lëshuar punën si këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, ndërsa tani është në pritje të pozitës së re. Largimin e tij nga FSK e ka bërë të njohur edhe vetë ministri Mehaj në një postim falënderues.

Mehaj ka treguar se Maqedonci ka dalë në pensionim të parakohshëm.

“Shembull krenarie për kontributin e tij dhënë atdheut përplot 25 vite, fillimisht si pjesëtar i UÇK-së, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit, më pas në uniformën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si komandant për një dekadë i Batalionit të Kërkim Shpëtimit (1999-2009), për të vazhduar kontributin si pjesëtar i FSK-së në detyrën Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm. Së fundi me një bagazh të tillë përplot detyra e përgjegjësi nuk kishte se si të mos shihej si i domosdoshëm kontributi i tij edhe në Kabinetin Qeveritar e Ministror si Këshilltar Ushtarak për Mbrojtje dhe Siguri, përvoja e të cilit bashkëdyzuar me njohuritë e fituara gjatë shkollimit në Kolegjin e Luftës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si i diplomuar nderi, përbënin një aset në aspektin strategjik, si hallkë tejet e rëndësishme në implementimin e politikave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Andaj sot vërtetë kisha nderin të pres në takim të veçantë, Kolonel Ejup Maqedoncin, i cili përfundoi karrierën ushtarake si oficer aktiv më 10 korrik të këtij viti, duke kaluar në pension të parakohshëm për të ofruar kontributin e tij tashmë në një detyrë të re.”, ka shkruar Mehaj.

Demokracia.com ka mësuar se Maqedonci ka afërsi të madhe edhe më ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, porse i afërt është bërë edhe me vetë kryeministrin Kurti, zyrën e të cilit e ka frekuentuar mjaft shpesh deri më tash për çështjet operative të FSK-së.

E lidhur me pozitën e re, tashmë edhe familjarët e tij nuk kanë hezituar të postojnë në profilin e Ejup Maqedoncit, ku edhe komentet nuk kanë munguar edhe duke i uruar, pa u emëruar ende zyrtarisht.

Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar për qëllim ka themelimin e parimeve bazë, standardeve minimale të sigurisë dhe një sistem unik për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ky ligj do të zbatohet nga të gjitha institucionet publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, për personat fizik dhe juridik, që bazuar në parimin e nevojës për të ditur, në ushtrimin e detyrës mund të kenë qasje në informacionin e klasifikuar të Republikës së Kosovës, shteteve dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar është përgjegjës personi, të cilit i është besuar informacioni i tillë.

Kush do të jetë autoriteti që do klasifikojë informacionin?

Në ligj theksohet se autoritet do të jetë Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e kryesisë së Kuvendit, Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura.

Po ashtu, klasifikimi bëhet edhe për ndonjë informacion të shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, marrëdhënie apo veprimtari ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, të cilat mbrohen nga ekspozimi i paautorizuar.

Informacion i klasifikuar do të konsiderohet edhe çdo veprimtari, burimet informative dhe metodat e punës së organeve dhe institucioneve të inteligjencës që lidhen me sigurinë e Republikës së Kosovës, por edhe sisteme, instalime, infrastruktura, projekte, plane apo shërbime të mbrojtjes që lidhen me interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Niveli i klasifikimit do të jetë i renditur në “tepër sekret”, “sekret”, “konfidencial” dhe “i kufizuar”.

Informacioni do të mbetet i klasifikuar për aq kohë sa e kërkon interesi i sigurisë së Kosovës.

Informacioni “i kufizuar” do të ketë kohëzgjatje një vit, informacioni i klasifikuar si “konfidencial” mund të ketë kohëzgjatje prej pesë vite, informacioni i klasifikuar si “sekret” 15 vite, ndërsa informacioni i klasifikuar si “tepër sekret” do të ketë kohëzgjatje 50 vite.

“Llogaritja e afateve të ruajtjes së klasifikimit fillon nga data e prodhimit të informacionit të klasifikuar”, thuhet në ligj.

Në rast se autoriteti klasifikues konsideron se informacioni duhet të mbrohet më gjatë se sa që është paraparë, ai nxjerr vendim të ri për klasifikim në pajtim me nenin 8 të këtij ligji.

“Vendimi i tillë nuk guxon të merret më herët se gjashtë (6) muaj para datës së paraparë për deklasifikim “, thuhet tutje në këtë projektligj.

Në ligj është paraparë edhe asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar.

Pra në këtë rast, çdo institucion shtetëror, titullari i atij institucioni apo i autorizuari, krijon komisionet për asgjësimin dhe shkatërrimin e informacionit të klasifikuar.

Po ashtu, do të ketë edhe sanksione penale për ata që zbulojnë dhe nuk ruajnë informacionet e klasifikuara.

Kushdo që zbulon informacionin e klasifikuar si “konfidencial” kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vite.

Kushdo që zbulon ose nuk ruan informacionin e klasifikuar si “sekret”, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vite.

Kushdo që zbulon ose nuk ruan informacionin e klasifikuar si “tepër sekret”, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 5 deri 12 vite. /Demokracia.com/

Të ngjashme