OpEd
Putini, Gorbaçovi dhe dy vizionet e madhështisë ruse
Demokracia
07:15 | 07 Shtator 2022

Share:

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times

Donald Trumpi premtoi ta bënte Amerikën sërish të madhe. Slogani i preferuar i Si Xhinpingut shpall “përtëritjen e madhe” të popullit kinez. Vladimir Putini është i shtyrë nga dëshira e ngjashme e mjerë për ta rikthyer madhështinë ruse.

Por, si e përkufizon një vend të madh? Putini dhe Mihail Gorbaçovi, i cili vdiq javën e kaluar, kishin ide të ndryshme për këtë.

Për Putinin, madhështia kombëtare përcaktohet nga territori, nga fuqia ushtarake dhe nga aftësia për të tmerruar ose nënshtruar fqinjët tuaj. Udhëheqësi rus beson se e drejta e vendit të tij është të jetë një nga fuqitë e mëdha të botës. Rusia, mendon ai, u “grabit” kur Ukraina u bë e pavarur dhe se çelësi i rindërtimit të fuqisë dhe madhështisë kombëtare është te rikthimi i territorit të humbur. Vendimi tragjik për ta pushtuar Ukrainën ishte kulmi i këtij obsesioni.

Për Gorbaçovin, madhështia kombëtare përkufizohej më shumë nga dinjiteti i qytetarëve të zakonshëm. Në një intervistë të vitit 2001 me historianin Daniel Yergin, e vuri në dukje paaftësinë e Bashkimit Sovjetik për t’ua siguruar qytetarëve të vet nevojat e përditshme: “Imagjinoni një vend që fluturon në hapësirë, lëshon Sputnikët, krijon sistem të tillë mbrojtjeje … [Por] nuk ka as pastë dhëmbësh, as sapun, as nevojat elementare të jetës. Ishte habi dhe poshtërim të punoje në një qeveri të tillë”.

Fakti se rusët e zakonshëm nuk duhet t’i durojnë më privimet e tilla, kjo i detyrohet shumë reformave ekonomike të Gorbaçovit, megjithëse ato ishin hezituese. Ata që e fajësojnë për shkatërrimin e ekonomisë punëtore sovjetike, duhet ta mbajnë mend këtë.

Ideja për dinjitetin njerëzor e ish-udhëheqësit sovjetik shtrihej në lirinë e fjalës. Ishte gjithashtu “habi dhe poshtërim” që, nën sistemin sovjetik, njerëzit e arsimuar duhej të jetonin në një botë të gënjeshtrave zyrtare, të sloganeve dhe të censurës. Gorbaçovi e ndryshoi këtë duke e liruar shtypin dhe industritë krijuese, duke i liruar disidentët dhe duke e lejuar rifillimin e kërkimeve të duhura historike. Putini po e kthen Rusinë në represionin e stilit sovjetik – teksa shtyp mediat e fundit të pavarura, burgos opozitën dhe për të përbën vepër penale nëse pranon se Rusia është në luftë.

Më e rëndësishmja, ideja e Gorbaçovit për dinjitetin njerëzor shtrihej edhe përtej kufijve të Rusisë. Vendimi më i rëndësishëm dhe më parimor që ndërmori ndonjëherë ishte të mos i dërgonte tanket sovjetike në Poloni, në Hungari apo në Gjermaninë Lindore në vitin 1989 teksa po lulëzonin lëvizjet demokratike.

Për një periudhë të shkurtër, një lider rus u bë simbol ndërkombëtar i lirisë politike. Kur Gorbaçovi vizitoi Berlinin Lindor në tetor 1989, një muaj para rënies së Murit të Berlinit, turmat brohorisnin “Gorbi, na ndihmo”. Kur e vizitoi Pekinin në maj, studentët protestues në Sheshin Tiananmen e përshëndetën atë si hero – një lider që kishte treguar se autokracitë mund të reformoheshin dhe se nuk duhet t’i vrisnin demonstruesit në rrugë. Ajo ëndërr përfundoi me masakrën në Sheshin Tiananmen – një muaj më vonë.

Është e vërtetë se përgjigjet e Gorbaçovit nuk ishin gjithmonë fisnike dhe pa dhunë. Me hidhërim ai mbahet mend në shtetet baltike, për lëshimin e shkurtër të trupave sovjetike në vitin 1991, në një përpjekje të dështuar për t’i shtypur lëvizjet e tyre drejt pavarësisë.

Por, siç do ta vinin putinistët të parët në theks. Gorbaçovit i mungonte pamëshira për të vazhduar për të luftuar dhe që të vriste derisa të rikthehej pushteti i Moskës. Putini është i vendosur të mos e përsërisë atë “gabim” dhe, si rezultat, Ukraina ka paguar kosto të tmerrshme njerëzore. Kur shfaqet historia e vërtetë e asaj që ndodhi gjatë rrethimit rus të Mariupolit, mund të zbulojmë një krim lufte me përmasa historike – me mijëra civilë të vrarë dhe të varrosur në varreza masive.

Për Putinin, masakrat si në Mariupoli janë thjesht detaj kur maten me misionin e tij historik për ta rivendosur madhështinë ruse. Janë shkatërruar pritjet e tij për fitoren e hershme ndaj Ukrainës përgjatë disa ditëve. Por, e ka shmangur këtë duke e krahasuar veten me Pjetrin e Madh, Lufta e Madhe Veriore e të cilit zgjati më shumë se 20 vjet përpara se ta arrinte fitoren.

Është ky në krahasim që flet shumë. Pjetri i Madh ishte despot, i njohur për indiferencën e tij absolute ndaj humbjes së jetës njerëzore. Me mijëra vdiqën në ndërtimin e kryeqytetit të tij të ri, të Shën Petersburgut. Pjetri paraqiti gjithashtu rekrutimin e detyrueshëm ushtarak për t’i nxitur luftërat e veta. Ky është hapi që Putini deri tash nuk ka qenë i gatshëm ta ndërmarrë. Me gjithë pretendimet e tij cariste, ndoshta i kupton rreziqet e trajtimit të qytetarëve të shekullit XXI si bujkrobër të shekullit XVIII.

Putini mund të besojë se fitoret në fushën e betejës dhe pushtimi territorial janë mënyrat e vetme të vërteta për ta rivendosur madhështinë kombëtare. Por, gjithashtu duhet të ketë rëndësi ajo që Deklarata e Pavarësisë së ShBA-së e quan “respekt i denjë për mendimet e njerëzimit”. Rusia luftarake nuk ia del mirë në këtë pikë. Një sondazh ndërkombëtar i kryer vitin e kaluar nga Universiteti i Pensilvanisë, dhe të tjerët, zbuloi se tri vendet më të admiruara në botë ishin Kanadaja, Japonia dhe Gjermania.

Të tri vendet u vlerësuan shumë për masa e tilla si qeveria e pastër, respektimi i të drejtave të njeriut dhe drejtësia sociale. Këto janë gjërat që kanë pak vlerë në Rusinë e Putinit, por që merren seriozisht nga njerëzit dhe qeveritë që kujdesen për dinjitetin njerëzor.

Putini e tregoi përbuzjen e tij për këto vlera – vlerat që promovoi Gorbaçovi – duke deklaruar se ishte shumë i zënë për të marrë pjesë në funeralin e tij. Mijëra rusë që kaluan pranë arkivolit të hapur të Gorbaçovit, në heshtje bënë me dije për mospajtimin që kanë.

Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Të ngjashme