Lajme
Pushteti me “gogol” të ri, Gjykatën Kushtetuese – Opozita ia kujton qeverisë se “veç në xhungël i pushtetshmi ka saherë të drejtë”
Demokracia
22:16 | 10 Janar 2024

Share:

Me fraza sikurse ninulla logjike – për përgjumje të mendimit – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (asobote opozitar) e quante “superkriminel” këdo që shkel Kushtetutën e Kosovës – sepse “krimineli” është term i rezervuar vetëm ata që shkelin ligjet e zakonshme; pra hierarkisht tejet më poshtë; ndërsa kur shkelet Kushtetuta – që kushtimisht mund të themi se është një ‘Bibël sekulare’ në aspektin shtetëror – kryhet transgresioni më i madh; si “Mëkati” më i lartë juridik.

Por, sot shkelja e Kushtetutës nga Qeveria e Kosovës nuk prodhon vlerësime për “superkriminalitet” sepse është bërë super-e-zakonshme; e që madje, askush as nuk çuditet as kur shkelet. Ligjet hartohen pa e konsultuar fare “Librin” shtetëror; dhe secili jurist – edhe prej më mesatarëve – në shikim sipërfaqësor arrin të deduktojë anomalitë në shumë-e-ligjin e shtyrë para nga kjo qeveri.

Për më tepër, pushteti veçse ka nisur të mprehë gjuhën dhe germat e një “attack”-u ndaj institucionit më të lartë që bën shqyrtimin përfundimtar të kushtetuetshmërisë dhe rendit konsekuent të saj: Gjykatën Kushtetuese.

Prej Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që në “Rubikon” të vitit të kaluar shprehej se “një nëntë gjykatës qatje” në Gjykatën Kushtetuese “nuk mund të pengojnë” dikë që ka marrë “400 mijë vota”; kësisoji duke ia mëveshur veten një pushtet – në paramendim – thuajse megallomanisht.

Vartësi i tij, Besnik Bislimi, shfryu tërë nervat e tij kohëve të fundit duke folur për median serbe “Radio Gorazdevac” se gjyqtarët kushtetues “nuk kanë kompetencë e as kredibilitet” dhe për më tepër vetë vendimet e tyre “janë produkt i një mjedisi të korruptuar”.

Këto sulme veçse, Bislimi, veçse shkonte duke i amplifikuar – për t’ia dhënë kreshendon edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Krejt pamundësinë për të kryer reformë në drejtësi ajo e barazon me një “fajtor”: Gjykatën Kushtetuese; të cilën e interpreton brenda një ombrelle të opozitës.

Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformës jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera. Këtë po e them sepse opozita po e konsideron si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat, qoftë në drejtësi qoftë në aspektin ekonomik financiar dhe ato që kanë të bëjnë me administratën publike”, u shpreh Haxhiu.

Partitë opozitare në tërësi kanë reaguar ndaj gjuhës hostile të kastës qeveritare ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e jehuar paralajmërimin se kjo edhe do të jetë diskursi elektorat i Vetëvendosjes në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e lexon këtë krejt në funskion zgjedhor. “Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, kërcënimet dhe sulmet e ulëta ndaj Sindikatës së Arsimit, si dhe diskutimi se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dihet mirë që 2024-ta është vit zgjedhor, kanë vetëm një qëllim: ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e madh që po i bëhet qytetarit dhe të dobësimit të Kosovës nga kjo qe qeveri”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj Haxhiut duke ia zbërthyer mos-sinonimitetin e pushtetit me të drejtën.

Veç në xhungël i pushtetshmi ka të drejtë gjithmonë”, ka shkruar Zemaj.

Kosova nuk është xhungël. Si nuk e keni kuptuar ende një gjë të tillë? Kosova është shtet; ka ligje e kushtetutë, ka institucione dhe pushtete të ndara, të cilat e bëjnë Republikën tonë të suksesshme për qytetarët e saj dhe vendet mike”, ka thënë mes tjerash ai.

Të ngjashme