Lajme
Pushteti mburret me aplikimet për subvencionim të teksteve shkollore, prindërit ankohen
Demokracia
21:33 | 28 Gusht 2023

Share:

Platformës e-Kosova për subvencionim e teksteve shkollore dhe materialeve shkollore, deri në mëngjesin e së hënës, i janë drejtuar 51 mijë e 200 aplikues.

Kjo shifër, është dhënë nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Megjithatë, mësimdhënësit, janë duke u ballafaquar me ankesa nga prindërit mbi procesin.

Kështu të paktën tregon Drita Bajrami, mësimdhënëse në fshatin Shkabaj të Obiliqit, që adreson disa prej problemeve që i kanë mbërritur asaj.

“Bashkëpunimin që e kam me prindërit në rrjete sociale, ata kanë reagime të mëdha. Nuk po u pëlqen aspak kjo metodë e re tash që ata vet t’i blejnë ato libra e vazhdimisht po na shkruajnë që nuk janë të kënaqur me reformën e re. Shumica e prindërve janë në punë. Po bëhen tollovi të mëdha nëpër librari”, ka thënë mësimdhënësja, Drita Bajrami për RTV Dukagjinin.

Një prind i këtij fshati e hodhi në pah një tjetër problematikë për procesin e subvencionimit.

“Edhe përmes aplikimit po është vështirë se dikush nuk ka as internet, as telefon e nuk di qysh aplikojnë. Shumë vështirë është edhe për prind edhe për nxënës sivjet për libra”, u shpreh Sinan Makolli.

Forma e aplikimit është hapur nga data 25 gusht e mjetet e planifikuara nga Ministria e Arsimit do të dalin në llogaritë bankare të prindërve.

Po ashtu, shtëpitë botuese kanë publikuar çmimin e librave, i cili nuk do të ndryshojë gjatë gjithë procesit te blerjes së tyre.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj e ka quajtur eksperiment të gabuar, vendimin e MASHTI-t që blerja e teksteve shkollore nga ana e prindërve.

Në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, Jasharaj tha se fatmirësisht ky vit shkollor po fillon pa greva, por me vështirësi shkak i MASHTI-t.

Të ngjashme