Lajme
Pushim pa pagesë për të ikur nga Kosova, shkollat po mbesin pa mësimdhënës
Demokracia
10:18 | 26 Gusht 2023

Share:

Shtatori sivjet përpos problemeve me tekstet shkollore, po vie edhe me kërkesa të shumta nga mësimdhënësit.

Për shkak të kushteve jo të mira dhe pagës në arsim, mësimdhënësit po shfrytëzojnë pushimin njëvjeçar pa pagesë për të gjetur vend pune në Evropë.

Këtë situatë, Sindikata e Arsimit, po e sheh si shumë shqetësuese se siç thanë shkollat mund të mbesin pa mësimdhënës.

“Ne kemi biseduar me kryetarët e sindikatave të niveleve komunale, për çështjen e kërkesave të mësimdhënësve që po i parashtrojnë në drejtoritë komunale të arsimit, për një vit pushim pa pagesë. Andaj, numri i tyre sillet diku rreth 300 mësimdhënës që kanë bërë kërkesa të tilla për pushimet pa pagese dhe për ne ky është një alarm shumë shqetësues, ngase në një të ardhme të afërt ka mundësi që shkollat tona të Kosovës të mbesin pa mësimdhënës”, tha Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së Arsimit për RTV21.

Mbi 300 mësimdhënës në nivel vendi kanë bërë kërkesa për pushim pa pagesë.

Drejtori i Shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, thotë se mësimdhënësit po largohen për një jetë më të mirë.

“Na pe dijmë tash jemi në prag të liberalizimit të vizave, ka mësimdhënës që varet kryekput prej një page e cila nuk e mbërrin muaji muajin, ka pakënaqësi edhe me ligjin e ri të pagave i cili është tu u zbatu, dhe gjithmonë mësimdhënësit po edhe kategoritë e tjera kërkojnë jetë ma të mirë. Është shqetësuese kuptohet se mund të ketë edhe mungesë të kuadrit për me i plotësu vendet…”, tha ai.

Tek flet për shkaqet e dukurisë së marrjes së pushimit pa pagesë nga mësimdhënësit, arsimtari i edukatës figurative, Ismet Fazliu thotë se mësimdhënsit duhet të ndihen të sigurtë për gjithë muajin, të paktën të kenë një mirëqenie sociale.

“Po çfarë gjendje kemi ardhë të gjitha janë normale, situata ekonomike e bënë të vetën kështu që njerëzit duhet me gjetë rrugëdalje, qoftë perëndim qoftë këtu, ku të gjejnë ma mirë ata shkojnë. Jo unë për vete jo, jo që qëndroj aq mirë, por, jo nuk e bëjë atë sepse mbizotëron arsyeja, për shumë sende. Por njerëzit kanë halle derte dhe e bëjnë. Mirëqenja sociale, njerëzit duhet me qenë të sigurtë, me ja dalë cdo muaj, me pasë pagën e vet, me pasë një jetë mesatare”, tha Fazliu.

Ligji i Punës ua mundëson që të punësuarit të marrin një vit pushim pa pagesë dhe pas asaj periudhe të kthehen në vendin e punës. Kërkesa për pushim pa pagesë aprovohet nga drejtoritë komunale të arsimit, kur mësimdhënësit i nevojitet për çështje mjekësore apo për ngritje profesionale.

Të ngjashme