Lajme
Punëtorët e sigurimit të KEK-ut në protestë, Vetëvendosje e ka fshirë komunikatën ku i mbronte dhe tash thonë se nuk janë nëpunës të korporatës
Demokracia
10:01 | 01 Nëntor 2023

Share:

Para vitit 2004, objektet e KEK-ut siguroheshin nga punëtorët e korporatës në kuadër të së cilës ekzistonte sigurimi. Tash ata punëtorë transferohen tek kompanitë e sigurimeve sa herë një nga ato e fiton tenderin. Si rezultat, dhjetëra punëtorë të korporatës janë zhgënjyer me menaxhmentin e ri për realizimin e tenderëve. Shpresa e tyre ka qenë që do të rikthehen ashtu siç kanë qenë para 18 viteve dhe mos të huazohen më nëpër kompanitë private, por të jenë nën kupolën e KEK-ut.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në një njoftim për media në vitin 2012 bënte të ditur se i mbështet punëtorët e sigurimit të KEK-ut, sepse, sipas tyre, ndërmarrja “Mbrojtja dhe siguria” janë ata që e ruajtën këtë pasuri kombëtare në kohërat më të vështira. Tash, KEK-u që udhëhiqet nga njerëzit e LVV-së, ka ndërruar qëndrime. Madje, kjo parti e ka fshirë edhe komunikatën e vitit 2012 ku i mbronte ata, shkruan Demokracia.com.

Fillimisht, të hënën, punëtorët e sigurimit fizik në KEK kanë protestuar para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me kërkesën që të kthehen në kuadër të kësaj ndërmarrjeje.

Protestuesit thonë se ishin “huazuar” për tri vjet dhe që nga viti 2007 kanë bërë më se 200 protesta. Ata rikujtuan se kërkesat e tyre ishin përkrahur nga Vetëvendosje, para se të vinte në pushtet. Kryetari i Sindikatës së këtyre punëtorëve, Nexhat Murati, tha se do të hyjnë në grevë nga data 13 nëntor dhe ata do të vendosen me tenda para kompanisë. Sipas tij, kërkesat e tyre janë legjitime dhe nuk po kërkojnë lëmoshë, por vetëm drejtësi.

“Ne i kërkojmë KEK-ut një takim urgjent për me na dhënë një mundësi mos me hy në grevë me 13 të këtij muaji. Janë mbi 200 protesta që i kemi bërë për këtë çështje. Na nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë drejtësi. Drejtësia është në anën tonë dhe nuk do të ndalim”.

“Na e njoftojmë edhe njëherë KEK-un mos të bëjë ato gabime me njerëz të cilët nuk e kanë as edhe 1 javë ditë me dalë në pension e me bë hajgare me këta punëtorë, sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër pos grevës. Këtë grevë do të mbajmë pikërisht këtu me një tendë më 13 nëntor. Lejen e kemi marrë nga komuna dhe në bashkëpunim me Policinë. Ju bëjmë thirrje që të marrin masa sa më të shpejta se nuk kemi më ku me shku. Këtë herë janë duke na mbështetur për muri”, ka thënë ai.

KEK-u: Nuk janë punëtorë tanë

Lidhur me paralajmërimin për protestë nga ish-punëtorët e sigurimit fizik, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë organizim sindikal nga dy sindikatat aktive të KEK-ut, por për sindikatën e ish-punëtorëve të sigurimit fizik, të cilët nuk kanë kontratë me korporatën tash e 19 vite.

“Lidhur me këtë ju bëjmë me dije se në bazë të dokumentacionit të cilin kemi trashëguar, figuron se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë (shthurur) nga KEK-u para 19 viteve (pra në vitin 2004), sipas strategjisë në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Kosoves, andaj nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik. Për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013”, thuhet në një reagim të KEK-ut, përcjell Demokracia.com.

Për më tepër, korporata thotë se në bazë të dokumentacionit që posedojnë, asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish njësie të shthurur në vitin 2004 nuk ka kontratë pune me KEK sh.a. Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005.

Çka thoshte partia në pushtet para shumë viteve për punëtorët e sigurimit të KEK-ut?

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në një njoftim për media në vitin 2012 bënte të ditur se mbështet punëtorët e sigurimit të KEK-ut, sepse, sipas tyre, ndërmarrja “Mbrojtja dhe siguria” janë ata që e ruajtën këtë pasuri kombëtare në kohërat më të vështira.

Ndarja e ndërmarrjes energjetike në shumë njësi të veçanta e të pavarura nga ajo, përkatësisht procesi që u quajt “korporatizim”, sipas Vetëvendosjes ishte një mënyrë për t’u larguar nga obligimet që ndërmarrja ka ndaj punëtorëve të saj.

KEK-u nuk ishte privatizuar ende, por sipas saj, punëtorët e KEK-ut tashmë po i vuajnë pasojat e privatizimit që pritet të ndodhë.

“Humbjet që u shkaktuan nga korrupsioni i emisarëve politikë në bordin e KEK-ut i janë faturuar dhe po i faturohen punëtorëve”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes.

Ndarja e njësive nga KEK-u, sipas kësaj partie, bëhej me justifikimin se ndërrmarrjes po i rritet efiçienca dhe po ashtu po rritet pëlqyeshmëria e koorporatave që duan ta blejnë këtë ndërmarrje publike, duke qenë se po zvogëlohet numri i punëtorëve.

“As njëra e as tjetra nuk ka ndodhur. KEK-u ka larguar njerëz nga puna, por çorganizimi në KEK vetëm është rritur, po ashtu dhe korrupsioni. KEK-un e ka sjellë në këtë gjendje politika e korruptuar e menaxhmentit të tij. Menaxhmenti i tij është reflektim direkt i politikave qeveritare”.

Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu, thoshte se mbështet plotësisht protestat dhe kërkesat e punëtorëve të sigurimit.

“Ne e kundërshtojmë praktikën e nëpërkëmbjes së të drejtave të punëtorëve dhe të mosmbrojtjes së punëtorëve nga asnjë instancë e pushtetit. Punëtorët në Kosovë historikisht dhe aktualisht janë arsyeja dhe baza e pasurisë sonë të përbashkët. Këtë pasuri që e kanë krijuar ata jemi të obliguar ta mbrojmë të gjithë, duke u obliguar kështu t’i mbrojmë edhe punëtorët”.

Komunikata nuk është më në uebin e LVV-së.

Ka më shumë se një vit që prej se ka përfunduar kontrata në mes KEK-ut dhe një operatori privat për sigurimin e objekteve private. Që nga ajo kohë, KEK-u nuk ka mundur të lidhë një kontratë të rregullt më procedurë të hapur. I është dashur që të lidhë kontrata me negocim më operatorë të caktuar. Kjo ngase tenderi i procedurës së hapur ndodhet në OSHP që disa muaj. Tashmë eksperti i OSHP-së ka konstatuar se prokurimi i KEK-ut ka proceduar kundërligjshëm në tenderin e hapur, në të cilin kanë garuar disa kompani. Pritet vetëm edhe mbledhja e Bordit për ta konstatuar këtë. Kjo vonesë po i konvenon KEK-ut, ngase po lidh kontrata emergjente, duke favorizuar kompani të caktuara. Lidhur më këtë. ditëve në vijim Demokracia.com do të bëjë një raportim të veçantë. /Demokracia.com/

Të ngjashme