Lajme
Publikohet pasuria e Florent Ramqajt: Banesë, garazhë, depo në emrin e tij dhe borxh babait të vet për 6 vjet
Demokracia
11:33 | 05 Qershor 2022

Share:

Këshilltari financiar i Liburn Aliut dhe nipi i Halil Jahajt – kompania e të cilit dëgjohet duke kërkuar ryshfet – Florent Ramqaj, e ka deklaruar edhe pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Aktivisti i Vetëvendosjes që dikur protestonte shtrenjtimin e biletave të autobusit, mori në mbështetje të madhe nga ministri Liburn Aliu.

Përgjatë kësaj mbrojtjeje, Aliu u shpreh se Ramqaj kishte punuar në kompaninë Alfa-I, që ishte në pronësi të dajës së tij dhe jo në kompaninë Infratek që është në pronësi të gruas së dajës së tij.

Në fakt, të dyja këto kompani janë të dajës së Florentit që quhet Halil Jahaj.

Në seksionin e Pasurisë së Paluajtshme të deklaruar në AKK, Florent Ramqaj ka deklaruar në emër të tij një banesë prej 103 metrash katrorë dhe së cilës i ka dhënë vlerën e 65 mijë e 480 eurove. Kjo banesë është blerë me kredi. Po ashtu, aktivisti i ri ka edhe një “garazhe dhe depo” prej 16 metrash katrorë e të blerë me para “kesh”, dhe e cila vlen 7200 euro.

Si pasuri të përbashkët ai ka vënë edhe një tokë me sipërfaqe të konsiderueshme dhe e cila sipas tij vlen vetëm 38 mijë e 25 euro.

Si pasuri të luajtshme ai ka vënë një veturë (pa treguar se çfarë marke është) të “prindit” të blerë më 2012 me kursime e që sipas tij kushton vetëm 3200 euro.

Si para të gatshme ai ka thënë se posedon vetëm 135 euro.

Në anën tjetër, ai ka detyrime financiare në shifrën e 35 mijë eurove. Njërën kredi e ka ndaj bankës NLB me vlerë prej 25 mijë eurove e që zgjat për 10 vite, por më interesantja është se i ka borxh 10 mijë euro edhe babait të tij e që duhet t’ia kthejë brenda 6 vitesh (sipas tij).

Florenti duhet pra që t’i paguajë babait nga 1666 euro në vit ose nga 140 euro në muaj për banesën e blerë.

Sa i përket të hyrave vjetore, ai ka listuar vetëm Ministrinë ku punon dhe në të cilën merr 6423 euro ose me një pagë prej 535 eurove.

Kujtojmë se vetëm një ditë pas publikimit të skandalit në Nacionale, Ramqaj është parë derisa hynte në objektin e Qeverisë së Kosovës. Ai ka mohuar akuzat por pa u marrë specifikisht me asnjërën prej tyre. Në anën tjetër, Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me rastin.

LEXO EDHE:

Këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt, s’i figuron pasuria në AKK

Të ngjashme