Lajme
Këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt, s’i figuron pasuria në AKK
Demokracia
18:30 | 04 Qershor 2022

Share:

Florent Ramqaj, këshilltari politik i ministrit Liburn Aliu, së fundmi nga “Nacionale” është raportuar se është përfshirë në një skandal ryshfeti, ku bëhet fjalë për shumën prej 30 mijë euro.

Në aferën korruptive është përfshirë kompania e quajtur “Infratek”, me të cilët Ramqaj ka lidhje familjare dhe kishte punuar aty, raporton Demokracia.com.

Shuma e ryshfetit, sipas mediumit në fjalë është 30 mijë, ku siç dëgjohet në audioincizim, fillimisht do të jepen 20 mijë euro e më pas 10 mijë të tjera.

Ramqaj për një kohë të gjatë është përkrahës i LVV-së, ndërsa që nga ardhja në pushtet e këtij subjekti, ai ka shërbyer si këshilltar i Liburn Aliut në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ndonëse Florent Ramqaj mban pozitën e këshilltarit politik, që konsiderohet si zyrtar i lartë publik sipas ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, pasuria e tij nuk figuron në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Demokracia.com ka pyetur në AKK pse nuk figuron deklarimi i pasurisë së Florent Ramqaj në faqen zyrtare të tyre.

Të njëjtit kanë thënë se aktualisht, kompania kontraktuese për mirëmbajtjen e faqes së këtij institucioni është në përfundim të publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë të vitit 2021 dhe për këtë arsye, sipas tyre, disa nga të dhënat nuk janë të qasshme për publikun.

“Aktualisht kompania kontraktuese për mirëmbajtjen e ueb-faqes së Agjencisë kundër Korrupsionit është në përfundimit të publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë të vitit 2021 dhe për shkak të disa vështirësive të natyrës teknike, të cilat aktualisht i ka kompania kontraktuese për mirëmbajtjen e web-faqes së AKK-së, disa nga regjistrat e deklarimit të pasurisë nuk kanë qenë të qasshëm për publikun.​ Me respekt, Agjencia kundër Korrupsionit”, kanë thënë nga AKK për Demokracia.com.

Sa i përket skandalit të ryshfetit, lidhur me këtë është deklaruar edhe vetë Ramqaj, duke pretenduar se të gjitha raportimet janë shpifje.

Ndërkaq, ministri Liburn Aliu ka thënë se raportimi për këtë rast është paralajmëruar aq shumë, saqë të gjithë prisnin arrestimin e tij apo këshilltarit në fjalë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme