Lajme
Publikohen mesazhe: BIA ka informacione për vrasjen e Ivanoviqit, ky është grupi kriminal i përfshirë
Demokracia
12:29 | 07 Qershor 2023

Share:

Mediumi serb “Nova.rs”, ka publikuar një shkrim rreth vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviqit, ku janë publikuar mesazhet e përgjuara të grupit “Kavaçit” që tregojnë në përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas raportimit të Nova.rs, “aktakuza e Prokurorisë për Krim të Organizuar (TOK) kundër policit malazez Ljub Miloviq, Daniel Jovanoviq, i cili punonte në Drejtorinë e Policisë Kriminale, bashkëshortes së tij Dushica Jovanoviq, e cila ishte e punësuar në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), si dhe të pandehurit e tjerë, mund të hedhin një dritë krejtësisht të re në rastin e vrasjes së liderit të serbëve nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, dhe në fund të hedhin dritë se kush është autori i drejtpërdrejtë i likuidimit. Emri i tij përmendet në bisedat e përgjuara të aplikacionit Sky.”

Ky grup që hetohej nga Prokuroria në Serbi për kontrabandë me drogë në përgjimet që janë publikuara është përmendur edhe vrasja e Ivanoviqit.

Në mesazhet, në përmbajtjen e të cilave Nova.rs ka pasur akses, që datojnë në vitin 2020, përmendet vrasja e Ivanoviqit. Kështu, më 23 janar 2020, polici i akuzuar Jovanoviq ia dërgoi Milloviqit informacionin e dhënë nga gruaja e tij.

Më pas ai shtoi si vijon: “I vetmi informacion që shkon tek klani i Kavaçit është se një nga anëtarët e klanit është përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”. Dhe historia thotë se Dedoviq (Igor Dedović) donte të merrte vetë udhëheqjen e klanit dhe ndërtoi një ekip rreth tij brenda klanit.”

Më tej, Nova raporton se “nga mesazhet e përgjuara të Sky, mund të konstatohet qartë se BIA ka informacione të caktuara për vrasjen e Ivanoviqit në janar 2018.”

Vrasja e Ivanoviqit

Oliver Ivanoviq ishte figurë politike e cila kishte arritur të kthehej në një kundërshtar të Listës Serbe. Ivanoviq kishte dalur kundër Listës Serbe edhe në zgjedhje lokale, megjithatë ato i kishte humbur drastikisht nga Goran Rakiq.

Ndaj tij kishte pasur vazhdimisht kërcënime, madje i ishte djegur edhe vetura. Kjo si paralajmërim për tërheqjen e tij nga rivaliteti ndaj Listës Serbe.

Më 16 janar të vitit 2018, politikani serb Oliver Ivanoviq, po shkonte në selinë e partisë së tij siç bënte çdo ditë tjetër. Megjithatë, ajo ditë doli të ishte fatale për politikanin kundërshtar të Listës Serbe. Ai u qëllua në hyrje të selisë së partisë nga persona që ende llogariten të panjohur.

Megjithëse emrat e vrasësve ende nuk dihen, në krye të gjithë organizimit për vrasjen e Ivanoviqit dyshohet të jenë ‘bosët e veriut’ Milan Radojiçiq e Zvonko Veselinoviq. Të dy në arrati, pavarësisht një aktakuze të ngritur nga Prokuroria.

Në muajin nëntor të vitit 2020, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Të akuzuarit janë: Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq. Këta akuzohen se bashkë me Radojiçiqin e Veselinoviqin, si pjesë e një grupi kriminal në veri, kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviq.

Megjithatë, kanë qenë disa dëshmitarë që të ftuar në këtë proces gjyqësor, nuk kanë pranuar të përgjigjen. Kjo pasi kanë pranuar kërcënime të ndryshme, ku të përfshirë dyshohet se janë strukturat kriminale në pjesën veriore të Kosovës./nacionale/

Të ngjashme