Lajme
Pse u zhvendos në Prishtinë pllaka përkujtimore e ushtarëve serbë në Luftën e Parë Botërore?
Demokracia
18:32 | 15 Nëntor 2023

Share:

Monumenti i ushtarëve të rënë serbë në Luftën e Parë Botërore 1912-1918, për disa ditë me radhë po tërheq vëmendjen e një pjese të publikut serb në Kosovë dhe reagimet nuk kanë të ndalur.

Ky monument gjendet në varrezat ortodokse në Prishtinë, në vendin ku janë varrosur ushtarët serbë të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në këtë vend, disa vite më parë, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë festuan Ditën e Armëpushimit.

Dita e Armëpushimit shënohet në të gjithë botën më 11 nëntor për të përkujtuar nënshkrimin e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Kjo ditë shënohet në të gjithë Evropën dhe vendet e Komonuelthit e festojnë atë si Ditën e Përkujtimit, amerikanët si Ditën e Veteranëve ose Ditën e Përkujtimit.

Deri para pak kohësh pranë atij monumenti ishte edhe një pllakë përkujtimore kushtuar ushtarëve francezë të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore. Midis këtyre monumenteve është një më i vogël që nderon ushtarin e rënë gjerman më 2015.

Dita e Armëpushimit u festua edhe këtë vit, më 11 nëntor. Mirëpo, në vendin ku dikur ishte një monument kushtuar ushtarëve serbë, tani gjendet një pllakë përkujtimore kushtuar ushtarëve francezë të vrarë në Kosovë.

Ndërsa, pllaka përkujtimore për ushtarët serbë është zhvendosur nga ana e varrit.

Ishin fotot e publikuara nga ambasadat nga shënimi i sivjetshëm i Ditës së Armëpushimit që shkaktuan reagime të furishme në mesin e komunitetit serb, pasi në to nuk u pa pllaka përkujtimore për ushtarët serbë në vendin ku kishte qenë paraprakisht.

Si erdhi deri te kjo?

Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në një komunikatë të përbashkët për media kanë pranuar se monumenti i luftëtarëve të rënë serbë në Luftën e Parë Botërore është zhvendosur me iniciativën e tyre.

Siç thonë ata, “në vitet e fundit, dhe veçanërisht në vitin 2022, kjo ceremoni e përbashkët franko-gjermane u njollos nga polemika në media të caktuara në Kosovë në lidhje me praninë e një stele [pllakë përkujtimore] për nder të ushtarëve serbë që vdiqën mes viteve 1912 dhe 1918”.

 

“Serbia dhe Franca kanë qenë aleate gjatë Luftës së Parë Botërore. Kjo polemikë ishte e padenjë për kujtimin e të gjithë ushtarëve: ushtarëve francezë, gjermanë dhe serbë të rënë në Luftën e Parë Botërore, por edhe 18 ushtarëve francezë që vdiqën gjatë shërbimit në KFOR, në mbrojtje të të gjitha komuniteteve të Kosovës”.

“Vendosja e një stele të re në përkujtim të sakrificës së të gjithë ushtarëve francezë në Kosovë është bërë me iniciativën e Ambasadës së Francës. Më pas, në shenjë respekti për ushtarët serbë, stela është zhvendosur vetëm disa metra, me respektin më të madh pas njoftimit të Komunës. Asnjë trup i vetëm i një ushtari nuk u zhvendos. Kjo stelë mbetet plotësisht e dukshme në të njëjtin vend”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë.

Aty shtohet se ambasadat janë “të zhgënjyera që ky gjest u keqinterpretua dhe çoi në shfrytëzim politik”.

Reagimet që pasuan

Famullitari i Kishës Ortodokse në Prishtinë, Stanisha Arsiq, ishte i pari që vuri në dukje zhvendosjen e monumentit nëpërmjet një komunikate për media, duke thënë se rastin e ka raportuar në polici dhe se i është thënë se ambasadat e Francës dhe Gjermania e kishin iniciuar një gjë të tillë.

Pastaj Dioqeza e Rashkës-Prizrenit bëri të ditur se askush nuk është konsultuar me komunitetin serb që i shfrytëzon varrezat, e as me Kishën Ortodokse Serbe, e cila “përkujdeset shpirtërisht për varrezat ortodokse në Kosovë”, në lidhje me zhvendosjen e monumentit të ushtarëve të rënë serbë.

Njoftimi përfundon se kjo mënyrë tregon “mosrespekt” ndaj një memoriali në varrezat ortodokse dhe se bëhet fjalë për “rishkrimin e historisë”.

Përveç Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, kanë reaguar edhe partitë politike serbe, aktivistë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucione të Serbisë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, ka kërkuar nga ambasadori francez dhe ai gjerman që monumentin e zhvendosur ta kthejnë në vendin e tij origjinal, mbi varrin ku janë varrosur eshtrat e ushtarëve serbë të vrarë në Luftën e Parë Botërore.

Në njoftim thuhet se presin një falje nga Ambasada franceze dhe ajo gjermane.

Demokracia Serbe, e cila së fundi u shndërrua në parti nga Iniciativa Qytetare për Mbijetesë Serbe, vlerësoi se zhvendosja e monumentit “thellon edhe më tej mosbesimin e popullit serb ndaj ambasadave të huaja në Kosovë dhe autoriteteve të Kosovës”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi heqjen dhe zhvendosjen e pllakës përkujtimore për ushtarët serbë si “fshirje të të gjitha gjurmëve të ekzistencës serbe në Kosovë dhe rishkrim brutal të historisë”.

Ndërkohë, Dragisha Mijaçiq, koordinator i grupit punues të Beogradit për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, nisi një peticion online më 13 nëntor për ta kthyer monumentin ushtarëve të rënë serbë në vendin e tij.

Peticioni, i cili deri më tani është nënshkruar nga rreth 2.500 persona, kërkon gjithashtu një falje publike nga dy ambasadorët për “veprimin e tyre të pamenduar”.

Ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse do t’u përgjigjen këtyre kërkesave të publikut serb dhe Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Prishtina zyrtare nuk është deklaruar për këtë çështje. /REL/

Të ngjashme