OpEd
Pse shantazhi që po i bën Rusia Evropës me gazin nuk do të zgjasë shumë
Demokracia
10:32 | 09 Maj 2022

Share:

Nga Kenneth Rapoza “Forbes”

Javën e kaluar, qeveria ruse ndaloi dërgesat e gazit natyror në Poloni dhe Bullgari për çështjen e mënyrës së pagesës. Sipas një direktive të firmosur nga Putini, kompania Gazprom tha se do të pranonte pagesa vetëm në monedhën kombëtare ruse, rublën.

Ndaj, kompania e madhe italiane e naftës, ENI, po hap një llogari në rubla, dhe po kështu edhe kompania gjermane Uniper. Kjo për shkak se SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë ngrirë më shumë se 250 miliardë dollarë të Bankës Qendrore të Rusisë në dollarë dhe euro jashtë vendit.

Qeveria ruse e ka aktualisht të vështirë që të shkëmbejë monedhën e saj me të tjerat.

Pra, nëse evropianët duan gazin rus, do të duhet të shkëmbejnë valutën që ta kryejnë pagesën në rubla. Por aftësia e Rusisë për të përdorur gazin natyror si një armë politike, e ka një kufi kohor.

Evropa do të vazhdojë të investojë për një ekonomi më pak të varur nga karburantet fosile. Ose të paktën, do të nënshkruajë marrëveshje me vende të tjera që mund të ofrojnë burime të besueshme energjie, duke përfshirë naftën dhe gazin. Asnjë nga këto nuk do të jetë aq e lirë sa ajo që ofruan rusët.

Gazi natyror i lëngshëm amerikan (LNG) kushton rreth 30 për qind më shumë. Disa zyrtarë në Evropë thanë se është më mirë të ndalen tërësisht importet ruse të naftës dhe gazit, sesa të paguhet në rubla. Të martën, komisioneri i BE-së për energjinë tha se blloku mund të zëvendësojë 2/3 e furnizimeve me gaz natyror rus deri në fund të vitit.

Një e treta vjen nga furnizues alternativë, dhe një e treta do të zëvendësohet nga burimet e rinovueshme. Komisioni Evropian pritet të miratojë një raund të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë. Gjermania tha të hënën se do të mbështesë një embargo të BE-së ndaj naftës ruse.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habek, vuri gjithsesi në dukje se një veprim i tillë do të kishte një kosto të konsiderueshme, duke thënë: “Me këtë vendim ne do të dëmtojmë veten, kjo është e qartë”. Gazi rus përbën rreth 40 për qind të importeve të BE-së.

Nëse do të ketë realisht një embargo, ajo do të kishte pasoja të rënda për ekonominë ruse, por edhe atë evropiane. Nevojat e tyre afatshkurtra për energji kërkojnë një furnizim bazë në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Ata duan që ta ndryshojnë situatën.

Dhe kjo do të thotë se Rusia – ende një fuqi e naftës dhe gazit – do ta shikojë tregun e saj larg Evropës në vitet në vijim. Kina do ta ndihmojë disi Moskën duke ia blerë gazin. Por edhe Kina po shkon drejt burimeve të rinovueshme, dhe është lidere në këtë fushë.

Sipas Qendrës për “Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër” në Finlandë, për të krijuar një ide se sa do të humbiste financiarisht Rusia, ky vend thuhet se ka arkëtuar 66 miliardë dollarë nga nafta dhe gazi që nga fillimi i luftës në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Profesor Aleksandër Mirçev, profesor mbi qeverisjen në Universitetin “Xhorxh Mejzën”, thotë se edhe energjia e rinovueshme do të bëhet një fushëbetejë tregtare, duke sjellë ndryshimin e besnikërisë midis vendeve. Rusia është një nga shembujt në këtë aspekt. Arabia Saudite është një rast tjetër: Evropa u ka thënë sauditëve se nuk është e interesuar për atë që po shesin.

Mirçev thotë se Rusia është prapa kur bëhet fjalë për “megatrendin” e ri të burimeve të rinovueshme. Ekonomia ruse nuk ka të bëjë me prodhimin e makinave elektrike dhe turbinave me erë. Profesori që e njeh shumë mirë botën post-sovjetike, thotë se në fund Rusia do të “paguajë çmimin”, pasi Evropa do të përshpejtojë krijimin e burimeve të brendshme të energjisë dhe do të diversifikojë burimet e furnizimit larg nga Rusia.

Sigurisht, kjo është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë. Sa i përket energjisë së pastër, evropianët janë të aftë në energjinë bërthamore në Francë dhe me turbinat me erë në Britani, Gjermani, Danimarkë dhe Holandë. Por sërish në krye të këtij sektori është Kina.

Dhe 6 nga 10 kompanitë më të mëdha të prodhimit të turbinave me erë vitin e kaluar ishin kineze. Përplasja e titanëve midis fuqive eksportuese të energjisë si Rusia, dhe varësia e dhimbshme e Evropës nga gazi rus, do të çojë në realitete të reja dhe interesa kombëtare konfliktuale, duke përfshirë qasjen te burimet e reja të mallrave jetike të lidhura me energjinë (si për shembull litiumi).

Sa më shumë që të të grinden dy palët mbi mënyrën e pagesës së gazit natyror, dhe sa më gjatë që mbetet rreziku i një bojkoti në të gjithë BE-në për lëndët djegëse fosile ruse, aq më shpejt do të mbetet pas Rusia. Hera e vetme kur Rusia ka shfaqur interes për karburantet më miqësore në natyrë është kur vunë në punë reaktorët bërthamorë “Rosatom”.

Gjithsesi, “Gazprom” dhe “Rosneft” mbeten burime shumë më të mira të fluksit të qëndrueshëm të parasë për shtetin rus. Rusia e pasur me lëndë djegëse fosile, nuk do të dëshironte të kalonte tek energjia diellore dhe ajo e erës, përcjell CNA.

Mbi 70 për qind e Rusisë furnizohet me gaz natyror. Po çfarë do të ndodhë kur Evropa të vendosë të mos e blejë më? Vitin e kaluar të ardhurat e “Gazprom” u rritën mbi 120 për qind. Ajo është e vetmja kompani ruse përgjegjëse për transportimin e gazit natyror në Evropë përmes tubacioneve të saj, duke i dhënë në këtë mënyrë statusin e monopolit.

Kur kjo kërkesë të bjerë, të ardhurat ruse nga eksporti do të shterojnë bashkë me të, përveçse nëse dikush beson se Kina, Turqia dhe vendet e varfra fqinje me ish-Bashkimin Sovjetik mund t`i kompensojnë disi humbjet. Kjo është e mundur, por ndoshta jo nëse vendet do të nxiteshin më shumë drejt burimeve të rinovueshme të energjisë.

Mirçev mendon se energjia alternative është një katalizator për ndryshimet globale, dhe kjo do të sjellë pasoja të mëdha për sigurinë kombëtare të Rusisë (dhe sigurinë kombëtare të çdo vendi tjetër).

Zhvillimi i qymyrit dhe i motorit me avull në shekullin e XIX-të, i motorit Diesel dhe naftës në shekullin e XX-të, si dhe energjia bërthamore, krijuan një gjenerator të madh ekonomik dhe ushtarak. Sot luftërat tregtare apo luftërat ekonomike po sillen sërish rreth energjisë. Më e dukshme është ajo midis SHBA-së dhe Kinës, sidomos për energjinë diellore. Por Rusia mbetet shumë larg në këtë garë.

Të ngjashme