Lajme
Pse i mbron? | Kurti nuk mbështet drejtësinë, por bëhet “avokat” i të pandehurve dhe të akuzuarve për krim dhe korrupsion (Lista e rasteve)
Demokracia
08:21 | 28 Maj 2025

Share:

“Luftimi i krimit dhe korrupsionit” dhe ndërtimi i një “Dubrave 12 kate” për zyrtarët e korruptuar, ka mbetur vetëm një premtim fushate nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Dubrava 12 katë” është rrënuar ende pa u ndërtuar dhe si për ironi kjo është bërë nga vetë Kurti, por tani nga pozita e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Që nga ardhja e tij në pushtet, në vitin 2020-2021, Kurti ka harruar premtimin e tij të madh, pasi që i është dashur që të mbrojë aferat e ministrave të emëruar prej tij dhe të njerëzit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryeministri Kurti, në të gjitha rastet e filluara nga Prokuroria kundër ministrave dhe njerëzve të Vetëvendosje, ka dalë në mbrojtje të të dyshuarve dhe ka sulmuar ashpër prokurorët që kanë guxuar të hetojnë.

Rasti i fundit që Kurti ka marrë në mbrojtje është ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili është intervistuar nga Prokuroria Speciale si i si i dyshuar në lidhje me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore. Ai është liruar në procedurë të rregullt pas marrjes në pyetje. Pavarësisht hetimeve ndaj tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vazhduar ta mbështesë publikisht Pecin, duke e vlerësuar si ministrin më të mirë dhe më të suksesshëm të kabinetit të tij.

E pritshme: Pas Rozetës, Nagipit dhe Martinit, Kurti i del në mbrojtje edhe të pandehurit Faton Pecit pak orë pas intervistimit nga Prokuroria

Kurti, në vend që të garantojë mbështetje për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, ai ka mbrojtur drejptërdrejtë të akuzuarit të dyshuar për korrupsion të lartë shtetëror.

Demokracia.com sjellë disa nga rastet kur kryeministri Kurti ka mbrojtur personalisht të dyshuarit.

1.MBROJTJA E MARTIN BERISHAJT NGA KURTI

Për herë të parë, një kryeministër i Kosovës dhe një parti në pushtet është vënë në mbrojtje të një personi mbi të cilin rëndojnë akuza të mëdha që kalojnë kufijtë e Kosovës.

Sipas mediave sllovene, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka pranuar qindra-mijëra euro nga kompaia GEN-i me seli në Beogad në emër të shërbimeve këshillimore. Sipas televizionit slloven, Planet TV, rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave. Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i dega në Serbi janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, raportonin mediat.

Në këtë situatë, kryeministri Albin Kurti është shfaqur duke e justifikuar edhe skandalin rajonal financiar, ku u përfshi ambasadori Martin Berishaj.

Në një intervistë për televizionin nga Shqipëria, “Syri TV”, Kurti ka thënë se nuk ka kurrfarë korrupsioni.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal e sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Ajo ishte pjesë e një fushate në Slloveni, ku kryeministri i hupi zgjedhjet dhe ajo e përfshiu ambasadorin e që nuk ka të bëjë asgjë as me të, as me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Vënia nën mbrojtje e Martin Berishajt, nuk është rasti i vetëm për kryeministrin Kurti, i cili ka shkelur mbi “betimin” si opozitar se kur do të qeveriste me Kosovës ai nuk do të lejonte që të kishte në krah të tij njerëz mbi të cilët rëndojnë akuza të korrupsionit.

Albin Kurti e mbron dhe ecë me krenari krah për krah me ambasadorin që mori qindra-mijëra euro nga GEN Beograd

2.KURTI SULMON PROKURORIN PËR TË MBROJTUR NAGIP KRASNIQIN

Arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ishte bërë shkak që kryeministri Abin Kurti të drejtojë akuza të shumta kundër Prokurorisë dhe kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj.

Vetëm një ditë pas arrestimit, më 20 prill 2023, në seancën e Kuvendit, Kurti kishte shpërthyer dhe i kishte dalë Krasniqit në mbrojtje.

Në mënyrë të paprecedent, Kurti kishte sulmuar drejtuesin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, kishte thënë Kurti.

Duke u pëzier në çështje të drejtësisë, Kurti ka thënë se drejtësia në Kosovë lëngon shkaku që ka prokurorë të cilët nuk dinë dhe as nuk duan që të punojnë. Ndërkaq, ai ka shprehur bindjen se Isufaj nuk do ta marrë pozitën që synon, gjë që ia kishte bërë realitet më pas presidentja Osmani

“Nuk është e rastësishme që prokurorët vrasjen ta bëjnë vetëvrasje dhe vetëvrasjen ta bëjnë vrasje. Duan të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, po pse në këtë shtet ka popull”, është shprehur Kurti.

Kurti shfryhet për arrestimin e Nagip Krasniqit, eskalon me sulme ndaj prokurorit Blerim Isufaj

3.REZERVAT SHTETËRORE “AVULLOHEN”, KURTI MORI NË MBROJTJE ROZETA HAJDARIN DHE MIKUN E TIJ “RIDIN”, POR REFUZON TË DËSHMOJË

“97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore”.

Kështu thoshte në një videoadresim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me 18 gusht 2023, duke u përpjekur të siguronte qytetarët e Kosovës se në skandalin që kishte shpërthyer pasi që një pjesë e rezervës shtetërore nuk kishte ardhur në Kosovë.

Këtë pjesë çuditërisht e identifikonte në këtë videoadresim edhe vetë Kurti, por atij i dukeshin pak se 3% e “vlerës së blerë vitin e kaluar” nuk kishte mbërritur në Kosovë, ashtu si edhe 0.5% e “sasisë së grurit” që nuk ndodhej në depo në vendin tonë.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, vazhdonte më tej Kurti.

Video është e qasshme në Facebookun zyrtar të Kurtit: : https://www.facebook.com/albini2017/videos/990019352265587/

Pikërisht ky skandal i rezervave shtetërore, do ta dërgojë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kryeministrin, Albin Kurti, për të dëshmuar si dëshmitar, por deri më tani ai ka refuzuar që t’i përgjigjet organeve të drejtësisë për të ndihmuar në shqyrtimin e rastit. /Demokracia.com/

Të ngjashme