Lajme
“Pse a s’e meritoj a?”| Disenjatori i Vjosa Osmanit më në fund konfirmon se ka pasaportë diplomatike
Demokracia
22:54 | 08 Qershor 2022

Share:

Demokracia.com ekskluzivisht ka raportuar se Valdrin Sahiti, disenjatori i njohur kosovar që kujdeset edhe për dukjen e presidentes Vjosa Osmani, është i pajisur me pasaportë diplomatike prej shtetit.

Sahiti është pajisur me pasaportë diplomatike që nga viti 2020 dhe rekomandimi për këtë ishte bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Demokracia.com kishte kontaktuar me Valdrin Sahitin për këtë çështje, por ai kishte refuzuar të përgjigjej.

E përgjigjen për pajisjen me pasaportë diplomatike ai e ka dhënë në emisionin “Oxygen”, duke iu kundërpërgjigjur Besim Dinës: “Pse a s’e meritoj a?”.

Ky siç duket ka qenë konfirmimi i vetë Sahitit se është i pajisur me një dokument të tillë që ia mundëson të udhëtojë duke evituar shumë kufizime nëpër aeroporte, deri sa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetë populli më i izoluar në rajon, ku me muaj të tërë presin edhe për një termin vize.

Sahiti është disenjator i njohur në Kosovë, i cili biznesin e tij thuhet se e ka shtrirë edhe jashtë vendit. Ai kujdeset vazhdimisht për dukjen e presidentes Vjosa Osmani, e cila javë më parë ishte e pranishme edhe në sfilatën e fundit të tij, ku tha se “Valdrini e ka bindur t’i feniratë flokët pas 12 viteve”.

Demokracia.com e ka pyetur Sahitin edhe nëse paguhet nga presidentja Osmani për stilimin e saj apo po e bën gratis një gjë të tillë, por as në këtë pyetje ai nuk është përgjigjur./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme