Lajme
Protestë në Tel Aviv, pasi ushtria izraelite pranoi se vrau tri pengje gabimisht
Demokracia
08:46 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Të premten në mbrëmje, në Tel Aviv u mbajt një protestë pas njoftimit të ushtrisë izraelite se kishte vrarë gabimisht tri pengje në Gaza.

Të shtunën, Izraeli po e vajton vrasjen e tri pengjeve, të cilat, sipas njoftimit të një zëdhënësi ushtarak, u vranë, pasi u identifikuan gabimisht si kërcënim, raporton gazeta “The Guardian”.

Trupat e tri pengjeve të vrara – Alon Shamritz, Samer El-Talalqa dhe Yotam Haim – u dërguan në Izrael dhe, pas ekzaminimit, u vërtetua edhe identiteti i tyre. Tre burrat e vrarë ishin të moshave 25, 26 e 28-vjeçare.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përshkroi vdekjen e pengjeve si “tragjedi të papërballueshme”. “Tërë Izraeli po e vajton humbjen e tyre”– tha ai. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë e quajti këtë rast “gabim tragjik”.

Pas përhapjes së lajmit për vrasjen e tri pengjeve gabimisht nga ushtria të premten, qindra njerëz u grumbulluan pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv për t’i bërë thirrje Qeverisë Netanyahu që ta sigurojë lirimin e mbi 130 pengjeve për të cilat Izraeli beson se ende janë duke u mbajtur në Gaza.

Protestuesit mbanin në duar flamuj të Izraelit dhe pankarta të ndryshme. Në njërën prej tyre shkruhej “Çdo ditë, një peng vdes”.

Merav Svirsky, motra e pengut që po mbahet nga Hamasi, Itay Svirsky, tha: “Po vdes nga frika. Ne kërkojmë marrëveshje [armëpushimi] tash.”

Lagjja Shejaiya në veri të Gazës është parë si bastion i Hamasit dhe strehim për disa prej forcave elite të tij e fortifikatave më të forta. Zona ku u vranë pengjet është afër vendit të një beteje vdekjeprurëse të mërkurën, ku nëntë ushtarë, përfshirë dy komandantë të lartë, gjithashtu u vranë.

Të ngjashme