Sport
“Protesta pro-Palestinës nuk lejohet”, flamuri palestinez shfaqet vetëm pak orë para ndeshjes Kosovë-Izrael shpaloset në qendër të Prishtinës
Demokracia
17:13 | 12 Nëntor 2023

Share:

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe akterët relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtje të ndeshjes Kosova-Izraeli, nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Ndërkohë që një protestë pro-Palestinës nuk është lejuar të mbahet nga Policia e Kosovës, por flamuri i Palestinës vetëm pak orë para ndeshjes Kosovë – Izrael, është shpalosur në qendër të Prishtinës, respektivisht mbi “Hotel Grand”.

Portali Dukagjini ka kontaktuar me organizatorin e protestës së parë kundër vrasjeve së civilëve palestinezë, me marsh në Prishtinë, Albert Berisha.

I pyetur nëse ky flamur është vendosur nga ky i fundit, ai thotë së ata kanë planifikuar një protestë për ditën e sotme, por është anuluar nga ana e policisë së Kosovës dhe mohon se flamuri mbi “Hotel Grand”, është vendosur nga ta.

“Nuk është meritë e jona se na kanë refuzuar edhe protestën, edhe pse protesta u kanë shumë simbolike, e planifikuar me qenë simbolike dhe na kanë refuzuar për shkaqe sigurie dhe ne normal që nuk dëshirojmë të shkaktojmë ndonjë dëmi anësor, por flamurin nuk e kemi vendosur ne dhe nuk e di kush e ka vendosur, megjithatë është shumë legjitime dhe shumë normale me vendosë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij edhe protesta e parë e mbajtur para disa javësh nuk ka qenë e dhunshme dhe as kjo nuk kishte për të qenë e dhunshme.

Ndërsa, ai politikanët e Kosovës i quan “krijesa servile pa kokërr dinjiteti”.

Tutje, ai ka theksuar se “njerëzit e zakonshëm janë me njerëzit që po vriten, nuk jemi në anën e një shteti terrorist që është duke kryer gjenocid në shekullin 21, para gjithë njerëzve që janë duke i parë edhe thjesht është për keqardhje me u pa së në çfarë gjendje është politika jonë dhe institucionet e tona të sigurisë”.

“Institucionet e sigurisë janë servile ndaj politikës, politika është servile ndaj të huajve, kështu që është shtet pa kokërr dinjiteti”, vijon Berisha.

I pyetur se si e sheh kontrollimin e lojtarëve të kombëtares së Kosovës nga policia izraelite në aeroportin e Prishtinës, ai ka theksuar se është “hyrje direketë e cenimit të sovranitetit dhe kjo tregon së institucionet tona janë të paafta për të ofruar siguri, duke ardh dikush tjetër me iu ofruar siguri dhe me kontrolluar lojtarin tënd”.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala ka thënë se siguria gjatë ditës së sotme edhe pas lojës është me potencial të lartë të kërcënimit, andaj edhe është “parandaluar çfarë do cenimi që mund të prish sigurinë në ketë ngjarje sportive në Prishtinë me peshe të madhe jo vetëm në formatin e sportit por edhe të akterëve tjerë relevant të përfshirë në këtë proces”.

Tutje ai ka theksuar se “pretendimet që në Aeroportin e Prishtinës është ndaluar për kontroll lojtari i Kosovës, kjo gjë nuk qëndron por që ky i fundit ka mund t’i vërej personelin e sigurisë se kombëtares se Izraelit që qëndrojnë në zonën ndërkombëtare apo neutrale dhe kjo ka mund të ndodhë, por që janë të përfshirë në marrjen e veprimeve policore – autorizimeve ndaj udhëtarëve kjo nuk qëndron”, shkruan Dukagjini.

Shala thotë së moslejimi i mbajtjes së protestës vjen si rezultat i analizës së sigurisë nga ana e Policisë së Kosovës dhe sipas tij organet e sigurisë mund të pezullojnë disa të drejta për një periudhë të caktuar kohore duke ruajtur impaktin e drejtpërdrejtë në përmbushjen e detyrave dhe mandatin që ka.

“Pretendimet që kemi të bëjmë më shkelje të Kushtetutës së Kosovës për mos lejimin e mbajtjes se protestës nga organet kompetente kjo vjen si rezultat i analizës së sigurisë që Policia e Kosovës, e cila ka dëshmuar në të kaluarën që organizimet e tilla mund të ndodhin dhe për to janë ofruar edhe siguri nga vetë ky mekanizëm në fjalë”, ka thënë Shala.

“Siguria ndaj qytetarëve të vendit por që tejkalon sigurinë publike dhe është më afër sigurisë nacionale, organet mund të pezullojnë disa të drejta për një periudhë të caktuar kohore duke ruajtur impaktin e drejtpërdrejtë në përmbushjen e detyrave dhe mandatin që ka”, ka përfunduar Shala.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që sot të bëjnë zgjidhje alternative të parkimit apo të shfrytëzojnë transportin publik nga Trafiku Urban, pasi për shkak të ndeshjes së futbollit mes Kosovës e Izraelit, parkingu në rrugën “Dritan Hoxha” do të jetë i mbyllur sipas kërkesës së Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe njëherësh kërkon të respektojnë maksimalisht rregullat e parapara, në të kundërtën mund të jenë subjekt i ndëshkimit nga organet ligjore.

Të ngjashme