Lajme
Protesta e 9 me radhë në Serbi, bllokohen rrugët, kërkohet dorëheqja e Vuçiqit
Demokracia
23:13 | 30 Qershor 2023

Share:

Këtë të premte në Serbi është mbajtur protesta e nëntë me radhë nga opozita serbe, me sloganin e njëjtë si ato të mëparshmet “Serbia kundër dhunës”, kjo pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Në këtë protestë, qytetarët serbë me ftesë të opozitës, kanë bllokuar autostradën ndërkombëtare E-75.

Përveç automjeteve, në bllokimin e rrugës kanë marrë pjesë edhe këmbësorë dhe çiklistë.

Studentët në protestën e bllokadës së autostradës E-75, 30 qershor 2023.

Një veprim i tillë u bë pasi që, siç deklaruan organizatorët e protestës, bllokadat janë pjesë e “radikalizimit” të protestave.

Qytetarët serbë të cilët kanë dalë për të protestuar janë dëgjuar duke brohoritur (Aleksandër) “Vuçiq, largohu”.

Radomir Lazoviq, një nga organizatorët e protestave ka thënë për “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe se bllokimi i rrugëve është duke u bërë si një formë “presioni ndaj qeverisë”.

“Qëllimi është t’u tregojmë autoriteteve se duhet të plotësojnë kërkesat e protestës, të kuptojnë se duhet të ketë vërtet ndryshime në këtë vend tonë që ata refuzojnë t’i shohin”, shtoi ai.

Sipas Lazoviqit, bllokadat e rrugëve janë “vetëm një nga mënyrat e luftimit për përmbushjen e kërkesave”.

Nuk përjashtoj lloje të tjera të mosbindjes civile. Nesër (e shtunë, 1 korrik) është një marshim proteste drejt TV Pink, që është simbol i propagandës së regjimit”, ka shtuar ai.

Bllokada e autostradës ndërkombëtare E-75 në Novi Sad, 30 qershor 2023.

Protestat “Serbia kundër dhunës”, të premten e 30 qershorit, përveçse në Beograd u mbajtën edhe në dhjetë qytete të tjera; Vrbas, Ruma, Vrsac, Majdanpek, Çaçak, Luçan dhe Zajeçar.

Ata janë duke kërkuar largimin e anëtarëve të Këshillit të Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM), ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gashiq, dhe kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë serbe (BIA), Aleksandër Vulin, konfiskimin e frekuencës kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy, si dhe anulimin e mediave që promovojnë dhunë dhe urrejtje.

Protestat “Serbia kundër dhunës” janë mbajtur që nga 8 maji, në shenjë frustrimi për reagimin e institucioneve serbe pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona, shkruan AP.

Ndryshe, Dhjetëra mijëra qytetarë serbë kishin marrë pjesë në protestën e tetë me radhë në Serbi, me 24 qershor, e organizuar nga opozita serbe, me sloganin e njëjtë si ato të mëparshmet “Serbia kundër dhunës”, pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.

Serbët kishin protestuar në dhjetë qytete.

Protesta “Serbia kundër dhunës” pos Beogradit ishte mbajtur edhe në Suboticë, Novi Sad, Zrenjanin, Shabac, Kragujevc, Krajlevë, Leskovc, Nish dhe Pirot. Të gjitha kishin filluar në orën 18:00.

Pamje gjatë protestës në Serbi

Siç raportonin mediat serbe, thirrjet që më së shumti ishin dëgjuar nga protestuesit kanë qenë që të përmbushen kërkesat e tyre nga institucionet serbe dhe që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të largohet nga drejtimi i shtetit.

“Përmbushni kërkesat”, “Vuçiq largohuni”.

Të ngjashme