Lajme
“Prokurorinë e kanë shpallur armik të brendshëm”, kritikohet akuza e Haxhiut se Gjykata Kushtetuese është bërë “aleat i opozitës”
Demokracia
16:30 | 29 Tetor 2023

Share:

Akuzat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ndaj Gjykatës Kushtetuese në 14 vjetorin e themelimit të saj se është bërë “aleate e opozitës”, avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, thotë Albanian Post se nuk duhet të merren seriozisht, meqë siç thekson ai, jo rastësisht prokurorinë e kanë shpallur si “armikun e tyre të brendshëm” për shkak të frikës që t’i shpëtojnë hetimit penal ndaj veprimeve të tyre “të paligjshme” në menaxhimin e institucioneve.

“Kjo ministre është e fundit që mund të kritikoj punën e kësaj gjykate sepse si politikbërëse e fushës së drejtësisë ka propozuar disa ligje antikushtetuese dhe tashmë as nuk e ka kredibilitetin e nevojshëm për ta marrë seriozisht shoqëria kritikën e saj. Jo rastësisht prokurorinë e kanë shpallur si armikun e tyre të brendshëm për shkak të frikës që t’i shpëtojnë hetimit penal ndaj veprimeve të tyre të paligjshme në menaxhimin e institucioneve”, tha ai.

Avokati Fetahu mendon se diskursi publik kërcënues që është duke u kultivuar prej kohësh ndaj Gjykatës Kushtetuese është i pashembullt dhe si i tillë, i papranueshëm në një shoqëri demokratike dhe ka për qëllim të ndikoj apo paragjykoj vendimmarrjen e saj.

“Fatkeqësisht, ky diskurs i karakterizon bartësit më të lartë të institucioneve qeveritare dhe kjo është edhe më shumë shqetësuese sepse cenon edhe besimin e publikut në punën e saj. Për më keq, këto sulme ndaj gjykatës, përsëriten nga ministrja e Drejtësisë pikërisht në ditët kur Gjykata po shënon përvjetorin e saj të katërmbëdhjetë”, shtoi ai.

Faton Fetahu

Prandaj, për Fetahun, pushtetarët aktual i karakterizon “jo vetëm paaftësia” për të nxjerrë ligje dhe vendime në pajtim me Kushtetutën, por edhe vullneti për ta koncentruar në duart e veta pushtetin të cilin nuk ia njeh rëndi kushtetues.

“I tillë është rasti edhe me përpjekjet e dëshpëruara për të kapur e nënshtruar edhe institucionet e pavarura të drejtësisë, si në rastin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, përmes të cilit, synonin që të merrnin rol vendimtar në procesin e rekrutimit, propozimit, emërimit, shkarkimit, transferimit dhe degradimit të prokurorëve”.

Por, ai thekson se është inkurajues dhe shpresëdhënës vullneti i opozitës për ta mbrojtur rendin kushtetues përballë tendencave të tilla “autokratike”, duke zhvilluar beteja kushtetuese pranë kësaj gjykate.

Në anën tjetër edhe për avokatin dhe anëtarin e kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahirin, sulmet ndaj Kushtetuese nga pushteti janë të papranueshme. Tahiri ka theksuar për AP se Kushtetuesja ushtron edhe një lloj të kontrollit dhe balanceve të pushtetit.

“Pushtetit mund të mos i pëlqejnë vendimet e caktuara te Gjykatës Kushtetuese, por sulmi politik ndaj Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm sepse e minon kredibilitetin e një institucioni tepër vital si Gjykata Kushtetuese”, sqaroi ai.

Xhafer Tahiri

Tahiri ka shpjeguar se Gjykata Kushtetuese është instanca me e lartë dhe autoriteti final për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës dhe po ashtu për interpretimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve tjera të ekzekutivit.

“Pra, në botën akademike, mund të ketë debate si cili duhet të jetë roli i Gjykatës Kushtetuese, e cilat mund të jenë kompetencat dhe mandati i saj, por Ministrja nuk është akademike, e për fat të keq ajo është larg nga kjo fushë”, shtoi ai.

Më 23 tetor, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë takimit në Komision Parlamentar pati theksuar se Gjykata Kushtetuese është bërë institucion “aleat me opozitën”.

“Mendoj që Gjykata Kushtetuese është bërë aleat i opozitës. Një përpjekje shumë e vështirë por do të jetë e suksesshme”, kishte theksuar Haxhiu, e cila në muajin mars të këtij viti, sipas Gjykatës Kushtetueses e kishte shkelur Kushtetutën, pasi Ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për Këshillin Prokurorial ishte shpallur anti-kushtetues.

Ngjashëm si për Haxhiun, Kushtuesja kishte njoftuar më 8 prill të vitit të kaluar se edhe ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Ndryshe, këtë muaj, Gjykata Kushtetuese e ka kremtuar përvjetorin e 14-të të vitit gjyqësor. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani, ka theksuar se ky institucion është simbol i një rendi të pavarur kushtetues që ka kurorëzuar sakrifica e gjeneratave të tëra për liri dhe pavarësi.

Të ngjashme