Lajme
Prokuroria nis hetimet për vjedhjen e 50 mijë eurove në banesën e deputetit Shkreta
Demokracia
13:39 | 26 Qershor 2022

Share:

Prokuroria Themelore e Prishtinës tashmë ka nisur hetim rreth vjedhjes së 50 mijë eurove në banesën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, pretendon se i janë vjedhur 50 mijë euro para të gatshme në banesë në Prishtinë, para këto që nuk figurojnë të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në lidhje me këtë vjedhje, tashmë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetim. Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj, e cila ka thënë se ky rast është cilësuar si vjedhje e rëndë.

“Rastit të cilit ju i jeni referuar, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Vjedhja e rëndë”, si dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qellim të ndriçimit të gjitha rrethanave të kësaj çështjeje penale”, ka treguar Ulaj për Demokracia.com.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se ky rast ende është nën hetim dhe për këtë arsye nuk mund të japin më shumë detaje.

Në anën tjetër, 50 mijë eurot të cilat i janë vjedhur në banesën e deputetit Mirsad Shkreta, nuk janë të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit, por kreu i AKK-së, Yll Buleshkaj, është munduar që të arsyetojë deputetin Shkreta, duke thënë se deklarimi për këtë vit ende nuk ka filluar, deklarim ky që publikohet në vitin 2023, përderisa ka theksuar se në rast se vërtetohet se këto para janë pasuri e vitit 2021, e që pasuria e zyrtarëve publikë është publikuar këtë muaj për vitin paraprak, atëherë sipas Buleshkajt, në rast që mund të vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar mund të konsiderohet shkelje.

LEXO EDHE: 

AKK reagon për vjedhjen e 50 mijë eurove të Shkretës që nuk i raportoi, Buleshkaj tenton ta arsyetojë

Përveç vjedhjes së 50 mijë eurove, sipas raportimeve në media, deputetit të VV-së i janë vjedhur nga banesa edhe stoli ari në vlerë prej 10 mijë euro. Siç raportohet, deputeti ka deklaruar në polici se paratë nuk kanë qenë të tij, por edhe të baxhanakut. /Demokracia.com/

Të ngjashme