Lajme
DOKUMENTE | Prokurimi i Ministrisë së Mbrojtjes kalkulon me tenderin e bukës së ushtarëve, qëllimshëm shkakton emergjenca që të lidh kontratë njëburimore
Demokracia
19:55 | 25 Mars 2024

Share:

Prokurimi vazhdon të llogaritet si një ‘vrimë e zezë’ për institucionet publike. Një potencial për korrupsion tashmë llogariten edhe kontratat njëburimore apo siç janë të përcaktuara me ligj “tenderët me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë”. Ministria e Mbrojtjes e ka vënë në kalkulim tenderin që ka të bëjë me ushqimin e ushtarëve të Kosovës. Këtyre javëve ajo pritet të nënshkruajë një kontratë të negociuar, pasi qëllimshëm ka shkaktuar vonesa për procedimin e tenderit të hapur për ushqim, shkruan Demokracia.com.

Institucioni më i ndjeshëm, Forcat e Sigurisë së Kosovës, shpeshherë po vihen në rrezik nga shteti që t’u sigurojë ushtarëve bukën e gojës. Kjo për shkak të keqmenaxhimit të tenderëve që po i bënë Ministria e Mbrojtjes për shërbimet e ushqimit.

Mosplanifikimi me kohë i procedurave të prokurimit po i detyron institucionet publike që të realizojnë kontrata vetëm me negocim. Ky veprim është një kancer me të cilin prej disa vitesh po përballen institucionet e shtetit, i cili dërgon në veprime korruptive. Duke mosproceduar me kohë për një kontratë të hapur, e cila do të ishte konkurrente, Ministria e Mbrojtjes brenda pak muajve ka shmangur konkurrencën për të realizuar një kontratë për furnizim me ushqim dhe pret që kështu të veprojë përsëri, nëse do të sigurojë bukën për ushtarët.

Në fillim të muajit tetor 2023, kompania “Beni Dona Plast” SHPK ishte shpërblyer me tender të negociuar nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm disa muaj pasi ishin mbyllur hetimet ndaj saj për falsifikim të dokumenteve. E njëjta kompani ishte vlerësuar e papërgjegjshme në një tender të hapur që e kishte në procedurë kjo ministri, por meqë tenderi kishte ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), tenderi me urgjencë ishte nënshkruar me “Beni Donën” për një periudhë 6-mujore.

“Kontrata do të jetë valide deri në lidhjen e kontratës së re, por jo më shumë se 6 (gjashtë) muaj, ose, pra në rast se AK i MM-së arrin të hy në kontratë të rregullt atëherë automatikisht kjo kontratë ndërpritet”, shkruan në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Bazuar në dokumentet e ngarkuara në E-prokurim, kontrata thuhet se është nënshkruar më 3 tetor 2023 dhe e njëjta duhet të skadojë më 3 prill 2024.

Por, tek njoftimi për dhënie të kontratës, ministria ka shkruar se ajo është nënshkruar më 29 shtator 2023.

Pra edhe pak ditë kohë ka Ministria e Mbrojtjes, ndërkohë që në E-prokurim nuk ka kurrfarë njoftimi nëse ministria ka nisur ndonjë proces të ri. Burimet e Demokracia.com bëjnë të ditur se Ministria e Mbrojtjes pritet që deri në fund të kësaj jave ose fillim të javës së ardhshme të dalë me njoftim të ri për dhënie të tenderit me negocim.

Demokracia.com kishte analizuar dosjen e tenderit të negocuar dhe aty është vendosur edhe kërkesa e përshtatshmërisë profesionale, ku është kërkuar që operatori ekonomik ndër tjera të posedojë edhe: 1) Kërkesa 7. Certifikata ISO 9001 2015 (sistemi i menaxhimit të cilësisë) – duhet të jetë valide, 2) Kërkesa 8. Certifikata ISO 22000 2018 (sistemi i menaxhimit të cilësisë ushqimore) – duhet të jetë valide.

Hetuesia ka pushuar hetimet për falsifikimin e certifikatave

Pikërisht lidhur me këto dy certifikata është bërë një hetim disa mujor nga Policia e Kosovës lidhur më tenderin paraprak, i cili ishte realizuar me procedurë të hapur e që ishte lidhur me “Beni Dona”. Hetimet fillestare kishin rezultuar se certifikatat kanë qenë të falsifikuara, por megjithëkëtë hetimet janë pushuar.

Kompania ‘Beni Dona Plast’, në vitin 2019 kishte fituar një tender në çmim prej mbi 8 milionë euro e gjysmë nga Ministria e Forcës së Sigurisë për ushqimin e ushtarëve të Kosovës. Një vit më vonë, Prokurorisë i ishte dërguar një raport policor, me gjetje që çonin në dyshime se kompania ‘Beni Dona’ e kishte fituar këtë tender, duke falsifikuar dy certifikata të një kompanie gjermane. Për këtë rast, shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve (ish-Task Forca Antikorruspsion), majori Shemsi Haziri kishte shkruar një raport alarmues përmes të cilit kishte njoftuar udhëheqësit e Qeverisë për dyshimet lidhur me korrupsionin në nivelet më të larta. Pas pothuajse një viti që kur ky raport i Hazirit është në tavolinat më të rëndësishme të shtetit, i njëjti vazhdon të jetë i mbuluar nga pluhuri.

“Me datën 10 shtator 2020 përmes Raportit Policor është informuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se tenderi i fituar nga Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast” me numër prokurimi nr. 217-18-2029-2-1-1 me titull “Shërbimet me ushqim … nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së” dyshohet që ISO certifikatat janë të falsifikuara dhe këtë e vërteton emali zyrtar i dërguar me datë 25 shtator 2020 nga zyrtarja përgjegjëse e kompanisë Royal Cert, Carolin Hofner (emaili i datës 25.09.2020)”, thuhet në një pjesë të këtij raporti, përcjell Demokracia.com.

Ministria e keqmenaxhon tenderin me procedurë të hapur, nuk i plotësoi kushtet as “Beni Dona”

Tash e sa vite, ushqimi për ushtarët e shtetit shërbehet nga kuzhinat jashtë kazermave. Pra, bëhet më tender. Prokurimi i ministrisë i di telashet që mund t’i dalin gjatë rrugës për të lidhur një kontratë të tillë, por po procedon me vonesë dhe kur po e bënë këtë nuk po arrin të lidh një kontratë.

Në qershor 2023, ministria ka bërë njoftim për kontratë për shërbime të ushqimit, i cili është inicuar me procedurë të hapur në një vlerë prej 13 milionë eurosh, me një kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Tenderi ka qenë i ndarë në tri pjesë (lot). Katër kompani kanë qenë në garë. Po ashtu, garues është edhe “Beni Dona” për të gjitha lotët. Pasi e ka mbajtur tenderin në vlerësim prej afro katër muajsh, ministria ka vendosur që të refuzojë të gjitha ofertat si të papërgjegjshme. Kështu, më 19 shtator ka bërë anulim për aktivitetin e prokurimit.

“Ministria e Mbrojtjes anulon këtë aktivitet të prokurimit për të gjitha pjesët, duke pasur parasysh nenin 1 dhe 6 të Ligjit për Prokurimin Publik, sepse të tri ofertat kanë ndryshime të çmimit në mënyrë substanciale për shërbime të njëjta dhe një ofertë tejkalon buxhetin e planifikuar në mënyrë substanciale”, thuhet në arsyetimin e anulimit të këtij tenderi.

Pra, siç shihet, ofertë e papërgjegjshme ishte vlerësuar edhe ajo e “Beni Dona”, me të cilën në tetor 2023 ishte lidhur kontratë e re me negocim, meqë ky tender kishte probleme.

Por, pas anulimit të aktivitetit të prokurimit, tek tenderi i vlerës së madhe, kompanitë nuk janë pajtuar me arsyetimin e ministrisë për anulim. Dy nga to janë ankuar menjëherë, duke ofruar faktet e tyre se anulimi ishte i kundërligjshëm. Ministria ka shoshitur ankesat e tyre dhe të njëjtat i ka hedhur poshtë, duke lënë në fuqi vendimin e saj.

Më pas ato janë drejtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky institucion ka gjetur shkelje, kur e ka anuluar tenderin dhe e ka detyruar ministrinë që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Ministria e ka respektuar këtë vendim dhe pasi e ka kthyer në rivlerësim, më 20.12.2023 janë rekomanduar për kontratë në tri lote, tre operatorë ekonomikë: LOT 1: NTP ”Global Parajsa & Delfin SHPK; LOT 2: NNH “Verona & NTP Hajdini Commerce & Bylmeti SHPK; LOT 3: “Beni Dona Plast” SHPK.

Nga dokumentet që ka parë Demokracia.com, më 27.12.2023, kërkesë për rishqyrtim ka parashtruar operatori ekonomik “Global Parajsa” për LOT 1, pasi nuk është pajtuar me vendimin e ministrisë. Por, Ministria e Mbrojtjes ia ka refuzuar ankesën.

Anise ishte rekomanduar për kontratë për lot 3, më 27.12.2023, kërkesë për rishqyrtim ka parashtruar edhe operatori ekonomik “Beni Dona Plast” për lot 1 dhe lot 2, të cilën AK i ka refuzuar më 27.12.2023. E njëjta kompani në janar i është drejtuar OSHP-së me të njëjtët pretendime, se i ka përmbushur kërkesat që të jetë fitues edhe në dy lotet e tjerë dhe se operatorët tjerë kanë qenë të papërgjegjshëm. OSHP-së i ishte drejtuar edhe kompania “Hajdini Comerc”.

Më 22 shkurt 2024, Paneli i OSHP-së është mbledhur me emergjencë për të shoshitur ankesën dhe po të njëjtën ditë ka marrë vendim që komplet procesin e prokurimit ta anulojë, pasi ka konstatuar se asnjëra nga kompanitë e rekomanduara dhe kompanitë ankuese nuk i kanë plotësuar kushtet.

Andaj, duke pasur për bazë se të tre Ankuesit (me të dhëna të cituara si më lartë) të cilët janë ankues ndaj njëri tjetrit në procedurën e prokurimit të ndarë në lote, nuk janë të përgjegjshëm dhe nuk kanë ofertuar konform Rregullores për Prokurim Publik nr. 001/2022 neni 43.5 pika b., ku thuhet se Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave duhet të anulohet nëse asnjëri prej tenderëve të pranuar nuk është i përgjegjshëm, paneli shqyrtues vendos që ky aktivitet i prokurimit të anulohet dhe nëse AK ka edhe me tej interes të njëjtin ta ritenderojë”, thuhet në vendim të OSHP-së, përcjell Demokracia.com.

Ministria e ka zbutur këtë vendim dhe më 26 shkurt 2024 e ka anuluar krejt tenderin. Por, është bërë fiks një muaj që nga koha e anulimit të tenderit dhe ministria nuk ka hapur më tender të vlerës së madhe me procedurë të hapur, siç ka bërë zakonisht. Kjo me gjasë për faktin se Ministria e Mbrojtjes po dëshiron të lidh tender të negociuar.

Demokracia.com ka drejtuar pyetje në zyrën për informim dhe të prokurimit të Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me atë se kur skadon kontrata dhe kur do të hapet tenderi i ri apo do të procedohet me negocim, por ky institucion deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje. /Demokracia.com/

Të ngjashme