Lajme
Profesori amerikan: Ekipi i Bidenit është ngopur me Kurtin, ai po fajësohet, Vuçiqi po lartësohet
Demokracia
12:26 | 17 Shkurt 2024

Share:

Edward Joseph, profesor i njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkruar një status me disa vazhdime në rrjetin social “X”, ku ka komentuar marrëdhëniet e lënduara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Amerikës. Më saktë, Joseph, si rrallëherë, ka qenë tepër kritik ndaj Kurtit, duke shkruar se “ekipi i Bidenit është në mënyrë të kuptueshme i ngopur me kryeministrin Kurti”.

Në shkrimin e tij, profesori Joseph e ka cilësuar ndalimin e dinarit serb nga ana e Qeverisë Kurti si “fiasko”.

“Ekipi i Bidenit në mënyrë të kuptueshme është i ngopur me kryeministrin Kurti. Ndërsa presioni rritet për fiaskon e tij të euros/dinarit, Uashingtoni (krahas Brukselit) është, edhe një herë, duke e lavdëruar Vuçiqin. Si ka funksionuar deri tani?” – tha Joseph fillimisht.

Profesori amerikan ka përmendur disa hapa të Kurtit, të cilat u kritikuan nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

“26 maj/29 maj: Kurti vendos me forcë kryetarët e komunave në veri; Serbët sulmojnë KFOR-in, duke plagosur dhjetëra. Kurti u fajësua me shpejtësi, ndërsa Vuçiqi u çmua si partner. Rezultati: dy javë më vonë, njësitë speciale serbe rrëmbejnë tre policë të Kosovës në një shkelje të pacipë të Marrëveshjes së Kumanovës.” – vazhdon kritika e Josephit.

Në analizën e tij, Joseph ka përshkruar edhe mënyrën se si ShBA-ja ka folur në lidhje me zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilat u kritikuan goxha shumë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, duke aluduar në parregullsi.

“Më pas, më 17 dhjetor: Serbia mbajti zgjedhje parlamentare të kritikuara fuqishëm nga opozita, vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë. Reagimi i Ambasadës Amerikane: “Mezi presim të punojmë me qeverinë e re”.” – shkroi ai, duke përmendur që Bërnabiq falënderoi Rusinë.

Joseph ka përmendur edhe Banjskën.

“Me 14 dhjetor, Kurti i vetëm fajësohet nga Borrelli për dështimin e bisedimeve në Brukselit, përkundër shfuqizimit të përsëritur, të hapur të marrëveshjes së Ohrot nga Beogradi, përfshirën ë Këshillin e Evropës. Rezultati: dhjetë ditë më vonë, milicia serbe e armatosur rëndë hy në Banjskë, duke shkaktuar konfrontim fatal” – shkroi ai.

Në pjesën tjetër të shkrimit, Joseph ka përmendur deklaratën e James O’Brien, ndihmës sekretar i ShBA-së, i cili në mënyrë të qartë theksoi se nëse Kosova nuk e trajton Amerikën si partnere, atëherë as ShBA-ja s’do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si partnere. Këtë deklaratë, Joseph e ka quajtur “kërcënim”.

“14 shkurt: Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit lëshon “kërcënim” për të mos e trajtuar më Kosovën si partnere. Sugjeron që dorëheqja e Vulinit (dhe hetimet e tjera) janë përgjegjësi adekuate për Banjskën. 15 shkurt: Sekretari amerikan i Shtetit pohon “partneritetin strategjik” me Serbinë. Blinken gjithashtu “pret me padurim të punojë me qeverinë e re serbe”, edhe para se OSBE të publikojë raportin përfundimtar të zgjedhjeve, i cili mund të shkojë shumë deri në zhvleftësimin e rezultatit.” – shkroi ai.

“Këtu është thelbi: Zyrtarët amerikanë nuk e kapin sinjalin – e frikës dhe dobësisë – që po ia dërgojnë Beogradit, kur amerikanët e godasin Prishtinën. Vuçiqi – në mënyrë korrekte – do t’i shpërfillë paralajmërimet “në prapaskenë”, nëse edhe ato janë duke u bërë. Kundërthëniet zgjedhore do t’i bëjnë kundërthëniet e Kosovës edhe më tërheqëse.” – vazhdoi ai.

Të ngjashme