Lajme
Prizrenasi zhvat qytetarët me një apel të dyshimtë për ndihmë, përfitoi 300 euro në ditë
Demokracia
23:16 | 10 Janar 2023
Ilustrim

Share:

Seria e hulumtimeve të Kiksit për apelet e rreme për ndihmë nxori në dritë se kjo veprimtari e mashtrimit është e frytshme për personat që fshihen pas këtyre rasteve.

Një përfitues tjetër që përfundoi në radarin e kiksit është Hajredin Pireci. I riu nga Prizreni ka kohë që del në sheshet e qyteteve të vendit duke kërkuar para për 33-vjeçarin, Mevludin Podvoricën nga Podujeva. Me një dokument mjekësor që pretendohet se është lëshuar nga Klinika Emergjente e QKUK-së dhe i cili nuk vërteton asnjë diagnozë, ai po arrin të përfitojë shuma të majme parash nga qytetarët.

Kiksi ka arritur që të sigurojë disa video ekskluzive ku Pireci flet hapur për strategjinë e tij për  t’i bindur njerëzit të japin para.

Ndërsa brenda një dite në Pejë deklaron se ka fituar 300 euro.

Duke parë se ky terren po i sjellë të holla, ai tregon se ka planifikuar që t’ia mësyjë Pejës dhe Klinës.

Nëse dikush ka dyshime në të, Pireci thotë se ia jep emrin dhe kontaktin e Mevludin Podvoricës, personi për të cilin po kërkohen paratë me pretendimin se është i sëmurë.

Që përfitimet dhe numri i njerëzve që japin para të rritit, ai ka kërkuar ndihmë edhe nga këngëtari Labinot Tahiri, i njohur për humanizmin e tij, nga i cili thotë se ka marrë mbështetje.

Për të vazhduar këtë veprimtari që tashmë e ka shndërruar në biznes, Pireci thotë se ka bërë kontratë me Mevludinin, të cilit thotë se ia jep gjysmën e fitimit.

Për t’u dukur sa më të sinqertë dhe për t’i bindur njerëzit që t’u japin para, ai merr me vete edhe një grua për të cilin thotë se rri si e ndrojtur dhe e mërzitur.

Madje, biznesin e tij ai mendon ta zgjerojë edhe në Tiranë, ku ka planifikuar edhe akomodimin dhe fitimin ditor.

Krejt kjo veprimtari Pirecit i duket normale dhe refuzon ta pranojë se po mashtron qytetarët. Prandaj, edhe u bën thirrje bashkëbiseduesve që t’i bëhen partnerë, për të kërkuar para në shesh, gjë për të cilën u premton nga 200 euro.

Nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar për Kiksin se prizrenasi është shoqëruar në polici më 8 janar të këtij viti, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Kiks Koosva ka kontaktuar edhe me Drejtorinë e ShSKUK-së për të parë nëse Mevludini ka qenë ndonjëherë në ndonjë prej klinikave të kësaj qendre, por të  njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Të ngjashme