Lajme
Analiza e javës: Pritjet e qytetarëve, sfida më e madhe e një qeverie me pushtet absolut
Demokracia
19:58 | 19 Shkurt 2021

Share:

Krahas mundësive që i ka Lëvizja Vetëvendosje si subjekt politik fitues, e cila as njerëz nuk ka për të gjitha pozitat që tashmë janë të lira për t’i plotësuar, kjo është hera e parë që për progresin apo ngecjen si qeveri, do të ketë vetëm një subjekt politik që do të vlerësohet apo fajësohet.

Certifikimi i zgjedhjeve nuk pritet të vonojë dhe me përfundimin e të gjitha procedurave do të nisin menjëherë hapat për krijimin e institucioneve të reja.

Për dallim nga herët e tjera, për herë të parë pas zgjedhjeve në Kosovë do ta kemi vetëm një parti politike që pritet t’i krijojë institucionet e reja dhe të mos ketë më vonesa për shkak të pazareve politike, shkruan Demokracia.com në analizën e saj të javës.

Është hera e parë, po ashtu, që kemi një subjekt politik që nuk e ka problem çështjen e programit qeverisës, që ta negociojë, ta zëvendësojë apo ta harmonizojë programin e vet politik me ata të partnerë të koalicionit qeverisës.

Këtë radhë do të kemi qasje qeveritare tërësisht uniforme vetëm të një partie politike, si në politikën e jashtme, ashtu edhe në të brendshmen.

Si rrjedhojë e vështirësive që vinin për shkak të mosmarrëveshjeve politike për formimin e qeverisë, jo rrallëherë kanë pësuar institucionet, duke u nisur nga mbetja vetëm me ushtrues detyre në shumë poste e deri te shumë ambasada të Kosovës në botë që kishin mbetur pa ambasadorë.

Qeverisja e Kurtit do të dallojë shumë edhe për shkak të fuqisë politike të cilën ia kanë dhënë qytetarët, me të cilën mund të implementojë çdo program të brendshëm apo marrëveshje të jashtme, shkruan Demokracia.com.

Kurti tash për tash duket se ka edhe përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Ai nuk kishte hezituar aspak që të rreshtohej publikisht pas Joe Biden, i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale dhe tani është presidenti i 46-të i SHBA-së. Madje, kishte bërë edhe thirrje publike përmes një videomesazhi që të votohej Biden nga shqiptaro-amerikanët.

Në anën tjetër, Kurti tashmë nuk mund të sillet indiferent përballë kërkesave të Shtëpisë së Bardhë, të cilën e udhëheq Joe Biden, për dialogun me Serbinë.

E as ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian, pas së cilit ishte rreshtuar, duke dalë kundër përpjekjeve të administratës së Trumpit për marrëveshjen me Serbinë.

Ajo që tashmë është e sigurt, pas krijimit të institucioneve të reja, Qeverisë Kurti menjëherë do t’i rritet presioni që të angazhohet në çështjen e dialogut, që nuk është temë edhe aq populiste.

Në të njëjtën kohë, pandemia dhe dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia do të kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të menjëhershme.

Kurti i ka të gjitha që i kishte synuar, fuqinë politike për të negociuar, si dhe qeverinë e plotë dhe shumicën parlamentare solide për t’i implementuar vendimet e politikat.

Por në të njëjtën kohë, përballet jo vetëm me shumë sfida por edhe me pritjet e larta të qytetarëve të Kosovës që do të jetë e vështirë të kënaqen shpejtë dhe plotësisht./Demokracia.com/

Të ngjashme