Lajme
Pritje të vogla nga Procesi i Bërdo-Brionit
Demokracia
08:04 | 13 Shtator 2023

Share:

Të martën, një ditë pas takimit të presidentëve të gjashtë vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit, në Prishtinë e Shkup nuk kanë treguar pritje të mëdha se deklarata e përbashkët mund të jetësohet. Sipas njohësve të zhvillimeve politike, duhet të punohet shumë më shumë, me qëllim që të jetësohet synimi që integrimi në BE i këtyre vendeve të ndodhë deri në 2030-n.

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë e Maqedoni të Veriut nuk kanë shprehur pritje për rezultate konkrete nga takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Bërdo- Brionit.
Të hënën, presidentët e gjashtë shteteve të rajonit, dhe ata të dy vendeve anëtare të BE-së, Sllovenisë e Kroacisë, kërkuan integrim të përshpejtuar dhe u zotuan për angazhim në këtë drejtim.

Profesori Dritëro Arifi ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme të brendshme e fqinjësore në të cilat duhet të fokusohen, ndërsa shtoi se nuk pret efekte nga deklarata të përbashkëta, si ajo e së hënës e miratuar në Shkup.
“Janë pozitive në rrafshin teorik, por në atë praktik zero, rezultati mund të jetë zero, për shkak se mungon shtysa e madhe e BE-së duke bashkëpunuar me vendet e Ballkanit Perëndimor për ta dërguar vendin në një nivel krejt tjetër”, u shpreh Arifi.

E analisti nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri, ka vlerësuar se dakordimi i vendeve të rajonit nuk është i mjaftueshëm.
“Vetëm një deklaratë nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet që janë shtresuar në Ballkanin Perëndimor, por me rëndësi është që ky proces tani ka vëmendje shumë të madhe nga ana e BE-së dhe SHBA-së”, ka thënë Neziri.

Liderët e Ballkanit Perëndimor, njëzëri përmendën 2030-n si vit të fundit kur vendet që përfaqësojnë duhet të integrohen në Bashkimin Evropian.
Njohësit u shprehën skeptikë se integrimi mund të ndodhë brenda këtij afati kohor, ndonëse si datë është përmendur edhe në Bruksel. Ata theksuan nevojën për angazhim të shtuar nga të dyja anët.

“BE-ja duhet me i qartësu politikat e veta të zgjerimit, duhet me i zgjidhë të gjitha problemet dhe pikëpyetjet politike dhe Ballkani Perëndimor duhet me vendosë çka është prioritet, duhet me i qartësu të gjitha problemet politike, me i zgjidhë para se me u integru…”, ka vlerësuar profesori Arifi.
E analisti Neziri thotë se ky është një shans që nuk duhet humbur.

“Është kuptuar edhe nga ana e liderëve të Ballkanit, që nëse nuk do të arrijnë të tregojnë një racionalitet, mençuri në drejtim të zgjidhjes së problemeve mes tyre, atëherë do të lëshojnë një shans të artë që të nisin ose të vënë procesin e integrimit në BE në shiritin e shpejtë”, ka thënë Neziri.
Krahas dakordimit për proces të përshpejtuar të integrimit në BE, presidentët e shteteve të rajonit janë zotuar për angazhim në zvogëlim të pasojave nga ndryshimet klimatike dhe për uljen e trendit të emigrimit të të rinjve./Express

Të ngjashme