Lajme
“Pritet që së shpejti të fillojë”, nis ‘presioni’ i fuqishëm ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit
Demokracia
21:54 | 07 Janar 2024

Share:

Formimi i Asociacionit, që është edhe pika më e nxehtë e marrëveshjes për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë tema kyçe e 2024-ës. Që në nisje të vitit, ka filluar edhe presioni ndaj Kosovës për themelimin e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Ishte zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, i cili deklaroi se shumë shpejt pritet të nisë puna për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Stano tha se Kosova ka pasur 10 vjet kohë për të paraqitur një draft-propozim të saj për formimin e Asociacionit.

“Në këtë fazë të avancuar të procesit, pritet që së shpejti të fillojë me themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e saj për draftin që është në tryezë”, tha Stano.

Themelimin e tij e kërkon edhe shteti fqinj, Shqipëria, pasi siç thuhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë garanci se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj thekson se Kosova duhet të ndërmarrë hapat për të punuar në projektstatutin e prezantuar në tetor nga emisarët euro-amerikan.

Se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive ka siguruar disa here edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hovenier duke theksuar se Asociacioni “nuk duhet të jetë nivel i tretë i pushtetit dhe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive”, tha Hovenier, shkruan Sinjali.

Kështu, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kërkojnë nga Qeveria e kryeministrit Kurti që të themelojë Asociacionin, por gjërat nuk janë duke ecur përpara, për shkak të kushtëzimeve të palëve.

 

Të ngjashme