Lajme
Prishtina së shpejti me plan veprimi për rritjen e sigurisë në shkolla
Demokracia
16:33 | 07 Qershor 2022

Share:

Të gjitha shkollat në Prishtinë, shumë shpejtë do të fillojnë të zbatojnë në tërësi dhe përpikëri një plan veprimi i cili ka për qëllim sigurinë e fëmijëve në shkolla.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se sot ka filluar hartimi i këtij plani, me ç’rast është takuar me drejtorët e shkollave, përfaqësues të Policisë së Kosovës, MASHTI-it, UNICEF-it dhe shumë përfaqësues të tjerë.

Musmurati ka bërë të ditur se shumë shpejtë do të jetë i gatshëm ky plan i veprimit dhe është zotuar se si Drejtori e Arsimit do ta zbatojnë në përpikëri.

Ajo ka falënderuar OSBE-në për mbështetje.

Njoftimi i plotë i Musmuratit, pa ndërhyrje:

Sot filluam hartimin e Planit të Veprimit për sigurinë në shkolla. U bëmë bashkë me drejtorë të shkollave, Policinë e Kosovës, OSBE-në, Departamentin e Psikologjisë dhe Departamentin e Edukimit në UP, Ministrinë e Arsimit, UNICEF, Këshillin Rinor, Këshillin e Prindërve, KEC, Save the Children dhe psikologë shkollor që të hartojmë një plan që ka për qëllim të rritë sigurinë në shkollat e Prishtinës.

Shumë shpejt do të kemi një plan të veprimit që si Drejtori e Arsimit do ta zbatojmë në plotni, që fëmijët tanë me qenë ma të sigurtë në shkollë. Jemi zotu që kemi me punu bashkë, pa dallime, pa ankesa për të kaluarën, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në të ardhmen.

Jam e sigurt që hapat konkret që do të dalin nga plani do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies të nxënësve në shkolla. Ka me u trajtu siguria fizike, bullizmi, ngacmimet, dhe mirëqenia e nxënësve në kushtet pas pandemisë.

Faleminderit OSBE-së për mbështetjen!. /Demokracia.com/

Të ngjashme