Lajme
Prishet aparatura e rentgenit në QKMF-në e Shtimes, pacientët shkojnë në Ferizaj
Demokracia
22:19 | 28 Shkurt 2024

Share:

Qytetarët e Shtimes po ballafaqohen me sfida dhe vështirësi në marrjen e shërbimeve cilësore shëndetësore nga shëndetësia publike e kësaj komune, shkruan Demokracia.com.

Shërbimi Radiologjik i Rentgenit në QKMF “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime është jashtë funksionit për një periudhë prej afërsisht një muaji.

Demokracia.com ka mësuar se aparatura ka pësuar një defekt dhe si rezultat i kësaj, pacientët nga Shtimja që kanë nevojë për këtë shërbim po detyrohen të udhëtojnë drejt Ferizajt për të marrë shërbimin në Spitalin Rajonal.

Demokracia.com ka drejtuar pyetje gjatë ditës së djeshme në Zyrën për Informimit dhe në Drejtorinë e Shëndetësisë së Komunës së Shtimes lidhur me atë se kur do të kthehen shërbimet radiologjike, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

“Menaxhimi i QKMF “Dr. Vezir Bajrami” duket se vazhdimisht hedh fajin diku tjetër, ndërsa situata e mosofrimit në Shërbimin Radiologjik të Rentgenit vazhdon për një kohë të gjatë. Ata (menaxhmenti) hedhin përgjegjësinë tek kontraktori, duke deklaruar se nuk ka një marrëveshje kontraktuale për shërbimin. Kjo pamundësi menaxhuese ka vazhduar për dy vite tashmë, gjatë periudhës së qeverisjes, duke shkaktuar periudha të gjata pa funksionuar të Rentgenit. Për gjashtë muaj të vitit 2022 dhe 2023, Rentgeni në Shtime nuk ka punuar, duke e bërë të pamundur për qytetarët të përdorin këtë shërbim themelor shëndetësor”, kanë bërë të ditur jozyrtarisht për Demokracia.com personeli shëndetësor i QKMF-së në Shtime.

Mësohet se ky aparat RTG ishte një dhuratë nga Qeveria e Japonisë në vitin 2018.

Pacientët që marrin shërbime në institucionin kryesor shëndetësor të Shtimes po përballen edhe me probleme të tjera. Që nga data 20 dhjetor 2023, lifti në objektin e QKMF “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime është ndalur për shfrytëzim për shkak të një defekti, i cili edhe pas dy muajve vazhdon të mos jetë në funksion. Kjo situatë është duke shkaktuar shumë vështirësi për pacientët, veçanërisht për ata të moshuar dhe ata me sëmundje kronike, të cilët tashmë janë të privuar nga shërbimet e mjekësisë familjare që ofrohen në katin e dytë të këtij objekti. Si pasojë, pacientët detyrohen të ngjiten shkallëve për të pasur qasje në shërbimet mjekësore.

UD i drejtorit në QKMF është Ilaz Kadriaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme