Lajme
Presidentja thumbon kryeministrin edhe për dinarin: A është kjo krisja e parë serioze e raporteve Osmani-Kurti?
Demokracia
12:31 | 24 Shkurt 2024

Share:

Fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti ka shpërfaqur mospajtimet në mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë kësaj kohe, nuk kanë qenë të rralla rastet kur shefja e shtetit dhe shefi i qeverisë kanë shprehur dallime në qëndrime për çështje të caktuar.

Dialogu me Serbinë, draft-statuti i Asociacionit, Ligji për Zgjedhjet, sjellja ndaj aleatëve dhe çështja e dinarit janë temat që presidentja Osmani ka pasur qëndrime të ndryshme nga ato të Kurtit.

Së fundi, presidentja Osmani ka thumbuar kryeministrin Kurti për çështjen e dinarit, temë kjo që nxiti një përplasje të re të Kosovës me ShBA-në dhe aleatët tjerë perëndimorë.

Dje, pas konferencës rajonale, “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, Osmani ka thënë se kjo temë nuk është dashur të jetë shkak për një përplasjes të re të Kosovës me aleatët.

Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim, i cili mund të zgjasë disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj. Siç e dini, nëse kjo çështje nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen probleme të mëtejme”, ka thënë dje Osmani.

Ajo ka shprehur shqetësimet e saj edhe rreth raporteve të Kosovës me aleatët.

E para e shtetit ka ftuar të gjitha institucionet që të kenë kujdes rreth raporteve të Kosovës me aleatë.

Unë i inkurajoj të gjitha institucionet e secilin që merret me politikë të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me ShBA-në, Mbretërinë Bashkuar dhe vendet e BE-së t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme, por ekzistenciale. Në këto sfida na duhen aleatët tanë, na duhen partnerët tanë. Jo vetëm si shenjë falënderimi që e kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion për atë çka na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vetë”, ka thënë Osmani.

Dallimet për draft-statutin e Asociacionit

Presidentja Osmani edhe më herët kishte treguar se ka disa dallime me kryeministrit Kurti, sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Shefja e shtetit publikisht kishte treguar se është munduar ta bind kryeministrin Albin Kurti që Kosova ta shkruaj se bashku me ShBA-të draft-statutin e Asociacionit, por nuk ia ka arritur.

Në një interviste për emisioni “Click” në RTV21, ajo ka thënë se argument e saj për këtë çështje nuk i janë dukur bindëse kryeministrit.

Po ndoshta kryeministrit nuk i janë dukur shumë bindëse argumentet, çka po doni të iu them tjetër. Është pyetje që duhet të ia bëni kryeministrit, pse drafti nuk është hartuar nga ana e Republikës së Kosovës. Ai e ka një qëndrim, unë e kam një qëndrim të cilin e kam thënë shumë qartë dhe atë përmes një viti: Kosova është dashur ta hartojë draftin e saj se bashku me SHBA-të”, ka thënë Osmani, duke kërkuar që të parandalohen demet tjera.

Ajo gjë nuk ka ndodhur. Tani e kemi një draft tjetër, jemi para një realiteti të ri dhe nuk besoj që i ndihmon kujdo qoftë që tani të flasim për të kaluarën, por duhet të shohim si të parandalojmë ndonjë dëm shumë të madh për tash e tutje”, është shprehur ajo.

Ndryshe nga Kuri, Osmani kisha shprehur rezerva edhe ndaj draft-statutit të BE-së.

Derisa Kurti thoshte se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Osmani deklaronte se këtë gjë mund të konstatojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Unë nuk mund të them që ky draft duhet të zbatohet, sepse kemi shqetësime sa i përket këtij drafti. Mendoj që paraprakisht ne duhet të diskutojmë se si do të mund të arrihen modalitete për zbatimin e marrëveshjes në tërësi. Pra, si do të arrihet që të bindet Serbia këto marrëveshje dhe pastaj zbatimi duhet të jetë paralel, nuk duhet vetëm Kosova të merret me asociacionin e Serbia të mos e zbatoj nenin 4. Neni 4 duhet të shndërrohet në prioritetin tonë numër një sa i përket zbatimit të obligimeve paralele”, ishte shprehur Osmani.

Të dy krerë e shteti kishin shprehur mospajtimet edhe rreth dërgimit të Ligjit për Zgjedhje në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes së Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, e cila është mbajtur më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Osmani dhe Kurti ishin parë duke diskutuar në mënyrë të tensionuar.

Më pas, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte sqaruar se të dy krerët e shtetit kanë diskutuar për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, i cili kishte paralajmëruar se Ligjin për Zgjedhje do ta dërgonte në Kushtetuese.

Të ngjashme