Edhe pse Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës dje kërkoi që teleferiku në qendrën e skijimit në Brezovicë, të vihet në funksion, një gjë e tillë nuk ndodhi as sot.
Vizitorët që shkuan t’i shijonin bukuritë e qendrës së skijimit u zhgënjyen kur e kuptuan se s’do të mund të ngjiteshin lartë për të skijuar. Për mungesë të teleferikut mund të jetë hatëruar edhe e para e vendit, Vjosa Osmani, e cila sot ishte në Brezovicë bashkë me bashkëshortin e saj, shkruan Demokracia.com.
FOTO| Zotëriu i Parë u hip skijave si të Schumacherit, i veshur me garderobë rreth 1 mijë euro
Në shtetin që Osmani është presidente, në vitin 2022, në pikun e sezonit dimëror, teleferiku i qendrës kryesore të skijimit nuk punon. Kjo s’do koment! Ndoshta Osmani mund ta bëjë ndonjë koment dhe të ndikojë që teleferiku të rikthehet në funksion.
Por derisa gjërat të rregullohen atje lartë, kosovarët e zakonshëm po vazhdojnë të vuajnë që të paktën një fundjavë të kalojnë të pastresuar nga problemet e shumta që i kanë. Në anën tjetër, kosovarët që qëndrojnë mirë për kah xhepi, pushimet dimërore po i kalojnë në Mavrovë të Maqedonisë, Bansko të Bullgarisë dhe në qendra tjera të njohura gjithandej Evropës.
Disa prej tyre do të mund të ndaleshin edhe në Brezovicë sikur të paktën teleferiku të punonte dhe paratë t’i shpenzonin në Kosovë.
“Teleferiku në Brezovicë është dashur të lëshohet që nga data 25 dhjetor 2021, ndërkohë që teleferiku në Brezovicë është një ndër atraksionet më të vizituara, sidomos tani me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, dhe kjo që po ndodh është një humbje e madhe nëse nuk parandalohet menjëherë”, thuhej në komunikatën e OHT-së. /Demokracia.com/