Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka pritur sot në takim Donika Gërvallën, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, bëhet e ditur në ueb faqen e presidentit kroat.
Në takimin në Zyrën e Presidentit të Republikës, presidenti Milanoviq dhe ministrja Gërvalla diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, planin aktual për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, dhe perspektivat euroatlantike të Kosovës, thuhet në njoftimin e zyrës së Milanoviqit, transmeton Demokracia.com.
Presidenti Milanoviq i konfirmoi ministrit Gërvalla se Kosova gjithmonë ka pasur dhe mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e fortë të Republikës së Kroacisë kur është fjala për afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
“Presim që të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti Milanoviq.
Ai gjithashtu përshëndeti përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të siguronte stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore dhe do të siguronte perspektivë evropiane për të gjithë rajonin. /Demokracia.com/