OpEd
Premtimi që mungoi në fushatën elektorale
Demokracia
18:17 | 13 Shkurt 2021

Share:

Partitë politike nuk i kursyen premtimet as në këtë fushatë. Mediat dhe komentuesit u përpoqën t’i zbërthejnë këto në këtë kohë të shkurtë të 10 ditëve fushatë. Por, duke u marrë me atë që u dëgjua, u harrua të flitet për atë që nuk u dëgjua e që është indikatori kryesor për atë se çfarë mund të pritet nga pushteti dhe opozita e ardhshme.

Shkruan: Ardian Arifaj

Këtë të diel, më 14 shkurt, qytetarët e Kosovës votojnë përsëri t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e dyta brenda dy vitesh.

Fushata elektorale, që zgjati vetëm 10 ditë, zbuloi shumë për atë se ku qëndrojnë partitë dhe si e shohin ato pushtetin. Por, mbi të gjitha, u tregoi qytetarëve se çfarë në të vërtetë mund të presin, apo të shpresojnë.

E para, partitë politike qartë nuk kanë qenë të gatshme për zgjedhje. Nuk kishin program të përgatitur, me zgjidhje konkrete për nevojat imediate si pandemia e ekonomia; si dhe nuk patën emra të gatshëm për të paraqitur si njerëz, të cilët do të udhëheqnin institucionet shtetërore në të ardhmen.

Ndoshta për shkak se fushata ishte e shkurtë, qytetarët nuk kanë pasur kohë t’i ndjekin të gjitha paraqitjet e të gjitha partive politike, si dhe përpjekjet e mediave t’i zbërthejnë këto të fundit. Por, përshtypja e përgjithshme është se asnjë parti nuk ka dhënë program konkret për ndonjërën fushë me interes për qytetarët, por janë mjaftuar me deklarata dhe premtime të përgjithshme.

Nuk është elaboruar se si, cilado parti planifikon të përballet me pandeminë. E vërtetë që kanë premtuar vaksina, por nuk është parë e nuk është dëgjuar ndonjë plan konkret për këtë. Sa herë është folur për pandeminë, partitë kanë përfunduar duke akuzuar palën tjetër, partitë tjera, për dështim, pa treguar se si ata vetë do të përballen me pandeminë.

Nuk është folur as për atë se si planifikojnë të ndihmojnë ekonominë e goditur nga pandemia. Kjo kërkon plane specifike, masa specifike për të ndihmuar sektorët më të goditur që të marrin veten; e nuk kërkon vetëm plane e projekte të përgjithshme, afatgjata, për atë se si njëra parti apo tjetër e paramendon zhvillimin ekonomik të Kosovës.

E njëjta edhe për sektorët tjerë, qoftë kur është fjala për sundimin e ligjit e luftimin e korrupsionit, qoftë kur është fjala për t’u përballur me pasojat e luftës – nga kujdesi për të pagjeturit e familjet e tyre e deri te dialogu me Serbinë.

E dyta, partitë politike në një anë shprehen se kujdesen për mirëqenien, edhe atë shëndetësore, të qytetarëve, e në anën tjetër, kur filloi fushata, u harruan të gjitha masat parandaluese për t’u mbrojtur nga pandemia e Covid-19. Tubime me njerëz, në hapësira të mbyllura, pa maska e pa distancë, u mbajtën nga të gjithë dhe në tërë Kosovën. Mosrespekt jo vetëm për masat e vëna nga vetë qeveritë por edhe për vetë shëndetin dhe jetët e qytetarëve.

Siç u shpreh edhe Ilir Tolaj në një prononcim për Demokracia.com, pa asnjë cinizëm apo ironi, nëse asgjë tjetër, në muajin mars do të marrim vesh se sa kemi krijuar mbrojtje kolektive nga pandemia. Por, do të jetë tepër e dhimbshme nëse numrat e të infektuarve shtohen e me ta edhe numri i viktimave.

Sigurisht që politika është ndër vendet e fundit ku kërkohet morali a etika, megjithatë edhe aty duhet të ekzistojë vlerësimi dhe respekti për jetët njerëzore, dinjitetin dhe mirëqenien e secilit.

E treta, gjuha e përdorur nga partitë politike ka qenë acaruese, përjashtuese, nxitëse. Nxitje për përçarje, për mosdurim, për frikësim, për përjashtim, për përndjekje.

Kjo vetëm sa e ka shtuar polarizimin në një shoqëri edhe ashtu të polarizuar. Ka polarizim jo vetëm përgjatë vijave ideologjike, edhe pse këto nuk janë as shumë të qarta e aq të thella, por edhe përgjatë – e kjo është më e dhimbshmja – vijave qytet e katund. Edhe pse kjo ndarje është një e keqe e vjetër, sjellja e partive politike vetëm sa e ka thelluar edhe më.

Kjo ndarje, si edhe shumë dallime tjera që bëhen në shoqërinë kosovare, thjeshtë duhet të jenë të papranueshme dhe të dënueshme nga të gjithë.

E vërtetë që polarizime po shihen në të gjitha shoqëritë e botës, madje edhe në ato më demokratike. T’i kujtojmë trazirat e 6 janarit të këtij viti në Washington e që erdhën si rezultat i këtyre polarizimeve në shoqëri. Por, në SHBA, liderët politikë, me ta marrë pushtetin, e pranojnë se detyrë e parë është t’i tejkalojnë çarjet, të bëjnë bashkë të gjithë dhe zotohen të punojnë për të gjithë qytetarët.

Për fund, ajo që mungoi në këtë fushatë elektorale në Kosovë është mungesa e zotimit për bashkëpunim. Kjo nuk u dëgjua madje as si fjalë. Bashkëpunimi si thelb i pluralizmit dhe demokracisë.

E bashkëpunimi është gjëja e parë që do të duhet të bëjnë edhe ata që do ta marrin pushtetin por edhe ata që do të bëjnë opozitën; bashkëpunim për ekonominë e pandeminë, bashkëpunim për dialogun e konsolidimin ndërkombëtar; për të pagjeturit e për fuqizimin e çdo sektori të shtetit e shoqërisë.

Mungesa e fjalës bashkëpunim nuk ishte shqetësim vetëm gjatë fushatës; është edhe më shqetësim për ditët pas zgjedhjeve, kur duhet të formohet qeveria dhe kur këto duhet të punojnë qoftë si pushtet e qoftë si opozitë për të përmirësuar jetët e qytetarëve të Kosovës.

Kushdo që do të jetë në pushtet apo në opozitë, duhet të punojë për tërë qytetarët e Kosovës, pa dallim; për tërë Kosovën, pa dallim. E për këtë lypet bashkëpunim e jo përjashtim.

Të ngjashme