Lajme
Precedenti i rrezikshëm i Kurtit për të larguar kryetarët e veriut me vetëm 20% të votuesve | Si mund të përdoret edhe në komunat e tjera?
Demokracia
11:21 | 11 Gusht 2023

Share:

“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili parasheh mundësinë e 20% të trupit elektoral që të dalin dhe ta shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë”.

Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti të enjten e 10 gushtit, duke u përgjigjur para gazetarëve për rrugën që çon në përfundimin e mandatit të parakohshëm të kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dhe në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal, ka filluar punën për hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e katër kryetarëve.

Por, ky paralajmërim i kryeministrit Kurti dhe njëherit kryetarit të Vetëvendosjes, mund të sjellë pasoja të rrezikshme dhe është jashtë përcaktimeve që ofron Ligji për Vetëqeverisje Lokale, nëse i njëjti do të përcaktohet në Udhëzimin Administrativ, i cili pritet të jetë i gatshëm deri në fillim të muajit shtator.

I njëjti do të mund të përdorej jo vetëm në rastin e kryetarëve të veriut, por do të mund të shtrihej edhe në komunat e tjera. “20 përqindëshi” do të mund të arrihej fare lehtë nga subjektet opozitare në çdo komunë tjetër të Kosovës. Rrjedhimisht, çdo kryetar komune mund të përfundojë i larguar parakohshëm nga posti i tij me vetëm “20% të trupit elektoral”.

Demokracia.com ka raportuar një ditë më herët se kryeministri Kurti ia ka huqur interpretimit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, pasi që mandati i një kryetari nuk mund të ndërpritet me 20% të elektoratit, por për këtë duhet të votojnë mbi 50% e votuesve të regjistruar.

“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet”, thuhet në nenin 72, paragrafin 3 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

“20 përqindëshi” që përmendet nga Kurti, sipas këtij ligji, nuk i referohet procesit të votimit, por vetëm inicimit të largimit të kryetarëve, kërkesë që duhet të nënshkruhet nga 20% e votuesve të regjistruar në atë komunë. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Kurti ia huq me interpretimin e ligjit | Mandati i një kryetari nuk ndërpritet me 20 % të elektoratit, duhen mbi 50 %

 

Lexo edhe:

Tradhtia e Kurtit | Si i kishte premtuar Lulzim Hetemit se në asnjë mënyrë nuk do të tërhiqet?

Të ngjashme