Lajme
Pranon fajësinë i akuzuari se falsifikoi targat e automjetit të tij
Demokracia
16:07 | 19 Prill 2022

Share:

I akuzuari Afrim Syla, është deklaruar fajtor se më 2018 falsifikoi targat e automjetit të tij.

Një deklarim të tillë i akuzuari Syla e dha në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Hava Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari deklaroi se e kuptoi veprën për të cilën akuzohet dhe se ndihet fajtor.

“Qashtu u kan, s’kom pas qare pa punu me dru, e pranoj qe e kom ba, qashtu u kan se automjeti s’ka pas regjistrim”, deklaroi i akuzuari Syla.

I njëjti kërkoi nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, baba i katër fëmijëve dhe i pa punë.

Ai shtoi se tani është në mbajtje të dënimit për një vepër tjetër penale dhe nuk e di se si do mbijetojë familja e tij.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, u pajtua prokurorja Krasniqi, e cila tha se një deklarim i tillë u bë në pajtim me provat që gjenden në shkresat e lëndës mbi të cilat është ngritur aktakuza.

E njëjta i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Në këto rrethana, gjykatësja Donika Shala-Abdyli mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë, ndërsa shpallja publike e aktgjykimit u caktua të bëhet më 20 prill 2022.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 gusht 2018 në fshatin Keqekollë, patrulla e policisë kufitare fillimisht e kishte ndalur të pandehurin i cili ka qenë duke e drejtuar automjetin kombi “Mercedes w601”, të ngarkuar me drunj dhe pas kontrollimit të dokumentacionit nga ana e zyrtarëve policorë, është konstatuar së targat që i ka pasur të vendosura në automjetin e tij kanë qenë të falsifikuara.

Tutje sipas aktakuzës , nga ana e zyrtarëve policorë është konstatuar se targat të cilat i ka pasur të vendosura në automjetin e tij, i akuzuari i ka marrë nga vetura e markës “Zastava Yugo” dhe i ka vendosur në automjetin e cekur më lartë, me ç‘rast është vërtetuar se targat kanë qenë të falsifikuara e të cilat pastaj janë konfiskuar nga policia.

Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, par.1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme