Lajme
‘Pranojeni se ka dështuar…’: Osmani e Gërvalla me kritika për komunitetin ndërkombëtar
Demokracia
10:10 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Komuniteti ndërkombëtar është kritikuar nga liderë të Kosovës për qasje “jo të balancuar” në dialogun Kosovë-Serbi. Deklarata të tilla, disa herë kanë ardhur nga kryeministri Albin Kurti, megjithatë, së fundi janë deklaruar edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryediplomatja Donika Gërvalla.

Kosova vazhdon të jetë ende nën masa të Bashkimit Evropian, të cilat u vendosën në qershor të këtij viti, pas situatës së krijuar në veri.

Pikërisht këtë çështje, e përmendi të premten presidentja Osmani deria po i adresohej Kuvendit të Kosovës.

Osmani ka thënë se procesi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, po pengohet nga Serbia. Por këtu, ajo përmendi edhe komunitetin ndërkombëtar.

“Mungesa e balancit dhe qasjes së trajtimit të pabarabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova ende përballet me masa të padrejta dhe joproporcionale, të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj.” – ka thënë ajo.

Një ditë para kësaj, komunitetin ndërkombëtar e kritikoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. “Pranojeni” se politika “e zbutjes” ndaj Serbisë ka dështu, kështu la të kuptojë kryediplomatja në shkrimin e saj në rrjetin social Twitter.

”Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor.” – deklaroi Gërvalla.

Masat ende në fuqi

Gjatë kësaj jave, ministrat e Bashkimit Evropian folën edhe për Kosovën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Në konkluzat ku përmendej Kosova, fokusi ishte kryesisht te situata në veri dhe dialogu me Serbinë.

Këshilli i BE-së shprehu shqetësimin e thellë për “veprimet e njëanshme nga të dyja palët”, duke përfshirë dorëheqjen kolektive të serbëve të Kosovës nga institucionet dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, veprime që kanë shkaktuar tensione shtesë.

Aty më tej thuhej se Këshilli shprehë keqardhje për mungesën e implementimit nga të dyja palët të Marrëveshjes dhe aneksit për zbatimin e saj, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.

“Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa tjera t’i implementojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”

Lidhur me masat ndaj Kosovës, të vendosura për shkak të “mungesës së hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së.Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese. – thuhej në tekst.

Të ngjashme