Lajme
Posta nën udhëheqjen e Kurtit futet në kredi për rroga të stafit
Demokracia
18:55 | 07 Qershor 2022

Share:

Viti 2021 “kryefjalë” e kishte rimëkëmbjen ekonomike, krejt kjo pasi atë kohë Qeveria Kurti prezantoi një plan, ku ndër të tjera përmendi shumën 1.2 miliardë euro të cilat do e ringjallnin ekonominë kosovare.

Por, 2022-ta nuk po e vërteton të njëjtën, kjo pasi krizat në disa institucione veç sa kanë filluar. Stafit të Postës së Kosovës, sot iu drejtua një njoftim nga menaxherët.

Gazeta Insajderi ka siguruar e-mail-in në të cilin kërkohet mirëkuptim nga stafi pasi gjysmën e pagave ata nuk e kanë të deponuar në xhirollogaritë e tyre. E arsyeja pse ka ndodhur kjo nuk është sqaruar në atë mesazh, por, është treguar se si do të sigurohen ato para.

Përmes një kredie, është duke u tentuar t’i deponohen pagat punonjësve të këtij institucioni.

“Ju informojmë se jemi në pritje të pranimit të mjeteve nga një mbështetje financiare në formë të kredisë, prandaj luteni për mirëkuptim për ekzekutimin e pjesës së dytë të pagave të muajit maj 2022.” thuhet ndër të tjera në e-mail.

Se Posta e Kosovës është në krizë financiare nuk është risi, pasi edhe me datë 12 të muajit mars të vitit 2018, konform përgjegjësive si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes publike Posta e Kosovës Sh.A. kishte shqyrtuar gjendjen financiare në këtë ndërmarrje.

Bordi atëkohë kishte thënë se nuk sheh zgjidhje tjetër përveç t’i drejtohet edhe publikisht Qeverisë së Kosovës, punëtorëve të Postës, sindikatave dhe opinionit publik se gjendja financiare në Postë është duke u rënduar nga muaji në muaj.

Tani meqë Kosova është nën udhëheqje të kryeministrit i cili e premtoi rimëkëmbjen, Posta e Kosovës duket se është në krizë edhe më të madhe, krejt kjo pasi për pagesat ndaj stafit iu desh të hyjë në kredi.

Të ngjashme