Lajme
Portali i Ramabajës që paguhet nga Qeveria Kurti, “vjen” me analiza të publikuara në media të tjera
Demokracia
10:41 | 12 Maj 2023

Share:

Sapo të klikosh në webfaqen me emrin Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë, të shfaqet një hartë ku shihet një pjesë e madhe e kontinenteve.

Afrika, Evropa dhe gjysma e Azisë qëndrojnë në prapavijë të këtij emri të madh, që krijon përshtypjen se në këtë institut, mendjet e ndritura analizojnë për shqiptarët, gjeopolitikën e pse jo edhe për problemet që ka bota.

Por, pavarësisht këtij emri të madh “Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë”, kjo webfaqe po shërben vetëm për të ripublikuar lajme e analiza që publikohen në media të tjera.

Madje, shumë prej tyre po ripublikohen vonë me ditë të tëra, pasi ato lexohen diku tjetër.

Edhe pse ky institut që ka për drejtor të ashtuquajturin profesor Ramabaja është mbështetur financiarisht nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ai nuk po prodhon asgjë të vlefshme.

Mjafton të shikohet vetëm muaji maj se çfarë është publikuar në këtë portal që paguhet me taksa të qytetarëve të Kosovës, ndonëse Ramabaja ka paralajmëruar se do të vijnë shumë analiza të reja, nga një kërkim i thjeshtë ato shihet se janë ripublikime.

Një analizë e shkruar nga autori Shaban Murati, me titull “Polonia i kërkon Rusisë reparacione, po Shqipëria kur do i kërkojë Greqisë?”, ishte publikuar në portalin e Ramabajës më 6 maj, disa ditë pasi i njëjti ishte publikuar në media të tjera.

Njëjtë mund të thuhet edhe për artikullin me titull “Grupi i Kontaktit për Ukrainën mbetet kyç për të mposhtur Rusinë”, i cili më 30 prill ishte publikuar në një portal shqiptar në Maqedoni, ndërsa më 6 maj edhe në faqen e institutit të Ramabajës.

Edhe shkrimi tjetër nga gjenerali Piro Ahmetaj “Për ngritjen e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare” figuron i publikuar në një webfaqe tjetër më 30 prill, disa ditë para se të publikohej më 6 maj në portalin e Ramabajës.

Ky institut muaj më parë ishte raportuar se ka përfituar një grant prej 5-6 mijë eurove nga zyra e kryeministrit Kurti për portalin e tij.

Ramabaja kishte fituar mbështetje financiare në “një tender për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore”.

Në një përgjigje për Periskopin, ai e kishte konfirmuar marrjen e grantit, por kishte dhënë arsyetimin se shuma ishte e ulët.

“Po, kështu më ka njoftuar sekretari, meqenëse shkresën s’e kam marr ende. Jo bre ajo është shumë e vogël, formale, diku 5-6 mijë euro. Për një projekt për të cilin kemi aplikuar, për diku 3 muaj, në të cilin pesë veta do të jenë të angazhuar”, kishte thënë Ramabaja i pyetur për këtë rast.

5-6 mijë euro në fakt nuk janë edhe aq pak, sidomos kur dihet se Ramabaja është pjesë e Vetëvendosjes dhe e mbështet këtë parti vazhdimisht nëpër studio televizive.

Por, çka është portali në fjalë i quajtur “Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë”?

Në fakt, Sadri Ramabaja i referohet këtij ‘instituti’ edhe vetë si portal. Këtë organizatë joqeveritare përmes të cilës fitoi para nga zyra e Kurtit e ka hapur në vitin 2021. Ai thotë se ka seli në Prishtinë, por pa treguar specifikisht se ku në Prishtinë.

Po ashtu, ‘Instituti’ në uebfaqen e tij pretendon që është themeluar nga “një grup intelektualësh shqiptarë”, por megjithatë nuk shkruhet emri i dikujt tjetër përveç atij të Sadri Ramabajës.

Në pjesën ku tregohet për bashkëpunëtorët, nuk jepet asnjë emër bashkëpunëtori, por thjesht fjalitë e shkruara me gabime drejtshkrimore (mos harroni, tenderi është për të drejta gjuhësore) si më poshtë:

“Bashkëpunëtorët: Në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks të proceseve politike e ekonomike të globalizuar, ndryshimeve globale politike, ekologjike, dhe socio-kulturore, të cilat në të njëjtën kohë përmbajnë mundësi të mëdha, por edhe rreziqe, vendim-marrësit në lëmin institucional të politikës dhe ekonomisë (ndërmarrësi) ani janë më shumë se kurrë të varur nga këshilltar e shumta të ekspertëve të kualifikuar, të cilët nuk janë vetëm propozime të thjeshta për çështje ditore, por ofron orientime konkrete me karakter afatgjatë e strategjik dhe mbështesin zgjidhje holistike.”

Në këtë portal nuk ka asgjë as në rubrikën “Rreth Nesh”, që do të duhej të tregonte informacione lidhur me punën e institutit dhe njerëzve të saj.

Por, shihni se çka shkruhet në rubrikën “Shërbimet”… Aty thuhet se ofrohen “Analiza Strategjike”, “Këshilla për sigurinë ekonomike” dhe “Kompetenca ndërkulturore”, çfarëdo që Ramabaja ka dashur të thotë me këtë të fundit.

Të ngjashme