Lajme
Human Rights Network dënon sulmin e ministrit Murati ndaj mediave dhe shoqërisë civile
Demokracia
17:04 | 03 Maj 2024

Share:

Në Kuvendin e Kosovës të enjten u diskutua për përmbajtjen e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën, në të cilën ministri Hekuran Murati, ka thënë se raportuesi në disa raste ka rënë pre e dezinformatave të disa mediave që ende janë pjesë e gardave të vjetra edhe disa OJQ-ve.

Organizatat anëtare të Human Rights Network (HRN) kanë ndjekur me shqetësim diskutimet në Kuvendin e Kosovës mbi këtë raport dhe deklaratat shqetësuese të Ministrit të Financave Hekuran Muratit. Në fjalimin e tij, Ministri Murati ka thënë se “…Nëse hymë edhe në cilësi pastaj i analizojmë fjalitë e shohim që në disa raste edhe raportuesi ka rënë pre e dezinformatave të disa mediave që ende janë pjesë e gardave të vjetra edhe disa OJQ-ve që maskohen si të tilla apo janë zgjatime të gardës së vjetër.…”.

“Deklarata me akuza të tilla drejtuar OJQ-ve dhe mediave në Kosovë me pretendimin se janë të kapura nga Qeveritë paraprake, janë sulme direkte ndaj këtyre të fundit. Një praktikë linçuese e kësaj natyre ndaj OJQ-ve, dhe mediave, pikërisht në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, është një tregues i mungesës së bashkëpunimit, i një nënçmimi dhe degradimi të punës së aktivistëve/eve dhe gazetarëve/eve e mediave nga ministri i Qeverisë Kurti”, thuhet në komunikatën e HRN.

Sipas HRN, raportet e tilla si ai i shoqërisë civile për të Drejtat e Njeriut, DASH-it, Komisionit Evropian dhe të tjerë, do të duhej të shërbenin si një pasqyrë e ngecjeve dhe problemeve me të cilat po përballet shteti dhe qytetarët e Kosovës dhe mbi bazën e tyre do të duhej të reflektojë çdo Ministër/e për punën e tij/saj.

“Pikërisht duke u nisur nga kjo praktikë e rrezikshme e linçimit dhe denigrimit të punës së OJQ-ve dhe mediave dhe shumë rasteve të tjera në vitin e fundit, sot Kosova ka shënuar regres alarmant duke u radhitur 19 vende më poshtë në indeksin e Reporters Without Borders në lirinë e medias. Deklarata si kjo e ministrit Murati i kontribuojnë tutje këtij trendi negativ”.

“Organizatat anëtare të Human Rights Network (HRN) ju bëjnë thirrje qeveritarëve që të përmbahen nga deklaratat linçuese dhe t’i shfrytëzojnë raportet e tilla, duke përfshirë edhe Raportin e Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut 2023 që do të publikohet me 16 maj 2024, si kritikë konstruktive ndaj punës së tyre dhe të punojnë drejtë përmirësimit të situatës në vend”, thuhet në reagim.

Të ngjashme