Lajme
Policia në Ferizaj identifikon fshehurazi shoferët që i përdorin telefonat gjatë vozitjes dhe i gjobit
Demokracia
13:33 | 22 Qershor 2022

Share:

Policia e Kosovës, përkatësisht ajo e rajonit të Ferizajt është duke përdorur një metodë më ndryshe për të identifikuar shoferët të cilët përdorin telefonin gjatë vozitjes.

Përmes një njoftimi, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky aksion në qytetin e Ferizajt ka filluar sot nga ora 10:00, raporton Demokracia.com.

“Një patrullë e policisë me rroba civile, në lokacione të ndryshme identifikon shoferët të cilët shkaktojnë kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, me theks të veçantë, duke e përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit dhe lajmëron patrullën policore e cila është me uniformë. Pas identifikimit të kudërvajtësit, i njëjti ndalohet nga policia me uniformë dhe i shqiptohet gjoba kundërvajtëse,  sipas ligjit të komunikacionit rrugor”, thuhet më tej në njoftim.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:

Aksioni i policisë rajonale ‘’Përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit’’

Sot, nga ora 10:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka nisur një aksion i koduar  ‘’Përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit’’

Ky aksion, ndryshe nga aksionet tjera po realizohet në bashkëpunim të policisë me rroba civile nga Njësia Rajonale e Komunikacoinit Rrugor dhe policisë me uniformë nga stacioni policor i Ferizajt.

Një patrullë e policisë me rroba civile, në lokacione të ndryshme identifikon shoferët të cilët shkaktojnë kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, me theks të veçantë, duke e përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit dhe lajmëron patrullën policore e cila është me uniformë. Pas identifikimit të kundërvajtësit, i njëjti ndalohet nga policia me uniformë dhe i shqiptohet gjoba kundërvajtëse,  sipas ligjit të komunikacionit rrugor.

Neni 231 Kushtet për drejtimin e mjetit

Pika 4 Shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit nuk i lejohet përdorimi i telefonit të dorës – mobil, as i pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit. Këto pajisje mund të shfrytëzohen gjatë drejtimit të mjetit nëse përdorimi i tyre bëhet pa i mbajtur me dorë.

Pika 6 Dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit 4

Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe ka synimin që të parandalohen aksidentet në komunikacionin rrugor, ngaqë kundërvajtjet e tilla shpeshherë kanë shkaktuar edhe aksidente.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon te shoferët e automjeteve që të respektojnë ligjin e komunikacionit rrugor, të mos e përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit.

 

Të ngjashme