Lajme
Policia mbështet gazetarët dhe mediat: Ta realizojnë punën e tyre në mënyrë të pacenueshme
Demokracia
17:49 | 03 Maj 2022

Share:

Policia e Kosovës ka thënë se do të bashkëpunojë me mediat dhe do t’i përkrah ato në interes të formimit të drejtë, korrekt dhe profesional.

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Policia e Kosovës përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, shprehu mbështetje për mediat dhe gazetarët, duke i uruar ta vazhdojnë punën në mënyrë të pacenueshme.

“Duke njohur sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në realizimin e detyrave të tyre, Policia e Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, shpreh mbështetjen ndaj tyre dhe uron që mediat dhe gazetarët të vazhdojnë të realizojnë punën e tyre në mënyrë të pa cenueshme dhe profesionale në interes të qytetarëve dhe vendit”, thuhet në postimin e Policisë.

Policia e Kosovës ka ofruar edhe një herë bashkëpunim me gazetarë, shkruan Demokracia.com.

“Shprehja e lirë dhe mbajtja e opinionit të informuar lidhur me ngjarjet dhe zhvillimet në një vend, e cila realizohet përmes mediave është jetike për një shoqëri të lirë dhe demokratike, andaj PK-ja do vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me mediat në kultivimin dhe avancimin e mëtejmë të lirisë së shtypit”, thuhet më tutje në postimin e Policisë.

Postimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Prishtinë, 03 maj 2022

Policia e Kosovës si një ndër institucionet më të besuara dhe transparente, duke ditur rolin dhe rëndësinë e mediave dhe gazetarëve në përgjithësi në ofrimin e informatave të rëndësishme për publikun, përkrah dhe bashkëpunon ngushtë me ta në interes të informimit të drejtë, korrekt dhe profesional.

Duke njohur sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në realizimin e detyrave të tyre, Policia e Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, shpreh mbështetjen ndaj tyre dhe uron që mediat dhe gazetarët të vazhdojnë të realizojnë punën e tyre në mënyrë të pa cenueshme dhe profesionale në interes të qytetarëve dhe vendit.

Si institucion i zbatimit të ligjit edhe në të kaluarën, por edhe tani jemi të përkushtuar në ofrimin e ndihmës në aspektin e sigurisë dhe bashkëpunimit me mediat dhe gazetarët, në mënyre që të ju krijohet një ambient më i mirë dhe më i sigurt në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ndaj shoqërisë dhe vendit.

Shprehja e lirë dhe mbajtja e opinionit të informuar lidhur me ngjarjet dhe zhvillimet në një vend, e cila realizohet përmes mediave është jetike për një shoqëri të lirë dhe demokratike, andaj PK-ja do vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me mediat në kultivimin dhe avancimin e mëtejmë të lirisë së shtypit.

Të ngjashme