Lajme
Policia e Shtetit zbarkon sërish në kampin e muxhahedinëve
Demokracia
10:31 | 29 Qershor 2023

Share:

Mediat në Shqipëri raportuan mëngjesin e së enjtes se Policia e Shtetit është sërish pranë kampit të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) në Manzë të Durrësit.

Top Channel raporton se forcat speciale të policisë janë të pranishme në rrugën nacionale dhe në sheshin para hyrjes së kampit. Nuk dihet ende nëse do të ndërhyhet sërish për kontroll brenda kampit.

Nëntë ditë më parë me vendim të Gjykatës së Posaçme, Policia e Shtetit ushtroi kontroll në ambientet e kampit të MEK-ut, kontroll që nxiti reagimin e banorëve të kampit. Reagimi i tyre nisi menjëherë kur policia iu afrua serverëve dhe filloi të sekuestrojë pajisjet kompjuterike. Reagimet e para kanë qenë për asgjësim të dokumenteve dhe kartave të memories, e më pas në një përballje fizike me policinë për të mos lejuar marrjen e tyre.

Nga MEK u deklarua se gjatë sulmit policor humbi jetën një pjesëtar i komunitetit të tyre, pretendim që u hodh poshtë nga Policia e Shtetit e cila përdori vetëm spraj djegës për të neutralizuar sulmin. Akuzat e ndërsjella për ushtrim dhune çuan në fillimin e hetimeve nga prokuroria e Durrësit e cila ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 6 drejtuesit e kampit.

Kontrollet janë në kuadër të luftës kundër sulmeve kibernetike dhe terrorizmit dhe vijnë pas hetimeve që nisën për sulmet kibernetike me të cilat u përball një vit më parë vendi ynë. Ato dyshohet se qenë pasojë e sulmeve që më parë ishin kryer ndaj Iranit nga territori shqiptar.

Për të verifikuar dyshimet dhe siguruar provat e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme brenda kampit muxhahedin në Shqipëri më 20 qershor Policia e Shtetit ushtroi një kontroll të gjerë brenda kampit.

Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) u vendosen në Shqipëri në vitin 2014 pas një marrëveshje për qëllime humanitare.

Të ngjashme