Lajme
Policia e Kosovës sulmohet me armë zjarri në veri
Demokracia
09:01 | 26 Prill 2022
Ilustrim

Share:

Policia e Kosovës sërish ka qenë cak i një sulmi në veri të Mitrovicës.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, një njësi patrulluese kufitare ka qenë cak i një sulmi me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Kjo është konfirmuar për Demokracia.com, nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka treguar Kelani për Demokracia.com.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë rast janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve”, theksoi Kelani.

Kohëve të fundit sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit janë shtuar dukshëm. /Demokracia.com/

Të ngjashme