Lajme
Policia bastis shtëpinë e mërgimtarit në Podujevë, gjen armë e municion në tavan
Demokracia
17:40 | 10 Shtator 2022

Share:

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.

Një rast i tillë është zbuluar dje në mesditë në fshatin Obranqë të komunës së Podujevës, ku Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në shtëpinë e një mërgimtari i cili jeton dhe vepron në Gjermani, raporton Gazeta Sinjali.

Me të arritur në shtëpinë ku dyshohej se ndodheshin armë ilegale, njësitë policorë janë takuar me familjarët e mërgimtarit, të cilët e kanë telefonuar pronarin e shtëpisë, ku në prani të policëve, 54-vjeçari e ka pranuar se posedon armë zjarri.

I dyshuari ua ka treguar atyre edhe vendin se ku ato ndodhen, duke thënë se i ka fshehur në tavanin e shtëpisë. Pas kontrollit, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një revole me karikator dhe fishekë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ndërsa veprimet tjera do merren kur të intervistohet i dyshuari i cili ndodhet jashtë shtetit.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Të ngjashme