Sport
Plepolli i ashpër me klubet: Po bëjnë investime të gabuara dhe të pakontrolluara
Demokracia
13:40 | 02 Shkurt 2021

Share:

Si kurrë më parë klubet elitare në futbollin kosovar sivjet kanë bërë investime bukur të mëdha, duke sjellë lojtarë por edhe trajnerë nga jashtë gjë e cila i ka dhënë kampionatit një ngjyrë interesante dhe sigurisht e ka bërë më joshës, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, për ish futbollistin e njohur, tash trajner Arsim Plepolli, klubet tona po ngutën në këtë aspekt dhe investimet që po i bëjnë janë të panalizuara sa duhet dhe kjo deri tash nuk ka sjellë shumë rezultate.

“Çdo ndryshim është i mirë por disa klube tek ne po bëjnë ndryshime të shumta  që unë mendoj nuk është mirë sepse adaptimi ka me qenë shumë i vështirë i lojtarëve për një kohë të shkurt siç është tash në gjysmësezon”, ka thënë për “Demokracia.com”, Plepolli.

Një fakt tjetër që e shqetëson analistin kosovar është edhe puna e trajnerit. Klubet e kreut që synojnë titullin e kampionit, kupën dhe daljen në Evropë, më shumë po u besojnë trajnerëve të huaj, edhe pse sipas Plepollit, këta trajnerë të ardhur përveç pagesave shumë të mira nuk është se kanë sjellë ndonjë risi të madhe dhe ngritje të nivelit të lojës.

“Kemi shumë trajnerë të huaj dhe ata janë të mirëseardhur. Në çdo vend të botës shohim që klubet angazhojnë trajner të huaj, por unë po mendoj se tek ne po vijnë disa trajnerë që nuk kemi dëgjuar më parë për ta. Superliges i duhet trajnerë kualitativë.  Ne kemi trajnerë shumë të mirë vendorë, por po me duket se këta trajnerët e huaj po dinë me komuniku më mirë se ne dhe më lehtë po i bindin pronarët e klubeve që t’u ofrojnë kontrata”, ka vlerësuar Plepolli i cili e pranon se deri tash këta teknikë të ardhur nuk kanë bërë ndryshime të mëdha.

“Risi diçka nuk kanë sjellë që vlen të theksohet sepse edhe me trajnerë vendorë ka qenë ky nivel i lojës. Ndryshimi është te pagat e trajnerëve dhe futbollistëve që paguhen shumë mirë  dhe më duket se kjo është risia e vetme”, ka përfunduar Plepolli. /Demokracia.com

Të ngjashme