Lajme
Petkoviçit s’i pëlqen deklarata e Ponoshit, shqetësohet për “degradimin” e pozicionit të Serbisë
Demokracia
20:36 | 12 Nëntor 2023

Share:

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ish-shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, i cili tha se Serbia ka pranuar zbatimin e disa prej zotimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars) deri më 15 nëntor.

Petkoviç, nëpërmjet një deklarate të dielën, ka thënë se pretendimet e kryetarit të partisë opozitare serbe “Qendra e Serbisë (SRCE)”, nuk janë asgjë tjetër veçse “përpjekje e drejtpërdrejtë për të minuar pozicionin e Serbisë dhe përpjekje për të vështirësuar pozicionin negociator të Serbisë” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Sigurisht që do të rezultojë se kjo nuk është hera e parë që Ponoshi mashtron publikun, sepse sigurisht që ai nuk e kupton dialogun, por e di se është duke mashtuar dhe gënjyer, duke fshehur se një pjesë e mirë e obligimeve të dialogut janë rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara nga Borko Stefanoviçi në kohën kur Ponoshi ishte në pushtet”, ka pretenduar Petkoviç.

Ai ka akuzuar ish-kryeministrin serb (2010-2012) se gjatë qeverisjes së tij rreth 85 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kurse gjatë udhëheqjes së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, siç ka pretenduar korrieri i propagandës serbe, rreth 27 shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, derisa ka komentuar edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E kryeopozitari serb dhe një ndër zërat e moderuar në Beograd, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, ka thënë se presidenti serb ka pranuar njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore të Kosovës jo më larg se 15 nëntori i këtij viti, derisa ka shtuar se “prandaj edhe ri-regjistrimi i veturave (RKS) është duke vazhduar kaq shpejt”.

Ponosh ndër të tjera ka konstatuar se presidenti serb tani është në pritje që draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, derisa ka akuzuar autoritetet serbe se kanë rënë nën “nënshtrimin e shantazhit të jashtëm” pas zhvillimeve të fundit.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” është duke vijuar, më 16 nëntor do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar hapat drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Të ngjashme