Lajme
Peticioni | Sa nënshkrime duhen në secilën prej komunave veriore për ta shkarkuar kryetarin?
Demokracia
13:06 | 17 Janar 2024

Share:

Sot ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për peticionin e shkarkimeve të kryetarëve në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Pas këtyre komunave do të mbahen peticione edhe për dy komunat e tjera: Zubin Potok e Zveçan.

Kjo po ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, ku kryetarët mund të shkarkohen përmes peticioneve, shkruan Demokracia.com.

Qeveria Kurti e ka shpikur këtë model për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.

Kurti me dikasterin që është nën varësinë e tij të drejtpërdrejtë, Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, kanë nxjerrë në shtator të vitit 2023 Udhëzimin Administrativ 02/2023 për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË:

Serbët nisin ta bëjnë realitet rrugën që ua hapi Albin Kurti për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore (Video)

Por, sa nënshkrime duhen të mblidhen në secilën komunë veçmas për të shkarkuar kryetarin?

Në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

Lulzim Hetemi nuk do të konkurroj më

Deri më tani është deklaruar kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili vjen nga radhët e VV-së. Hetemi ka thënë se nuk do të konkurrojë më nëse shkarkohet./Demokracia.com/

LEXO MË SHUMË:

Peticion për shkarkimin e kryetarëve në veri | Hetemi: S’do të konkurroj më

 

Të ngjashme