Lajme
Përshkrimi emocional për nënën e lirisë, Rabë Behramin, që serbët ia vranë të vetmin djalë
Demokracia
23:41 | 28 Shkurt 2022

Share:

Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, së bashku me dy deputetët tjera, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu-Shoshi, e kanë vizituar Rabë Behramin nga Qirezi, të cilës serbët në vitin 1998 ia vranë të vetmin djalë.

Nëna Rabë aktualisht është nëntëdhjetë e gjashtë vjeçe, me gjendje tejet të përkeqësuar.

Ish-deputetja e PDK-së ka thënë se në prag pranvere, më 28 shkurt 1998, Rabës serbët ia këputën lulen nga e cila merrte erë jete, duke ia vrarë djalin e vetëm. Ajo ka treguar se edhe mbesa e Rabës, Zahide Xhema, 19 vjeçe, ishte vrarë në torturat më barbare të ushtarëve dhe paramilitarëve serbë dhe ishte hedhur në bunar në Qirez.

Postimi i plotë i ish-deputetes së PDK-së, Besa Ismaili:

“Ne u ofruam emanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë, u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete….” – Kuran 33:72

Për këtë ajet kuranor, dijetarët e ndryshëm kanë diskutuar me shekuj se kush janë obligimet, ndërsa unë, unë më rrallë kam menduar për obligimet e më shpesh e kam vrarë mendjen për njeriun që bartë amanetin.

Kush është, si është njeriu më i fortë se qielli, toka e mali…Sa herë e përfytyroja atë njeri në krahasimet e mia, po aq shpesh ngjajshmërisht kam arritur ta mendoj vetëm një nënë.

Në mendjen time, vetëm një nënë është e më e madhe, më e fortë, më qendrestare se qiej, tokë e male. Dhe sot takova një të tillë që më solli në mendje këtë ajet kuranor dhe fjalën e popullit tim: “insani më i fortë se guri!”…

Sot takova nënën Rabë. Nëntëdhjetë e gjashtë vjeçe dhe në shtrat të pritjes për ta lënë këtë botë në të cilën pos mallit, vuajtjeve dhe dhimbjes, pak ka parë tjetër. Raba ka kaluar jetën në Qirez, në varfëri dhe bashkësi me kunatin e kunatën të cilët kurrë nuk i kishte gëzuar Zoti me fëmijë. Raba i kishte dy vajza. Gëzimi i dy familjeve ishin ata fëmijë. Kur kishte qenë shtatzënë me djalin, ende pa lindur ai, i kishte vdekur edhe burri. I kishin vdekur edhe vëllezërit.

Smajlin, djalin e vetëm, Raba e priste vetëm verën që të vinte dhe ta martonte. Smajli ishte gëzimi i Rabës dhe krejt familjes Behrami. Smajli po rritej me dashuri dhe kujdes si për një lule të vetme në një kopsht.

Në prag pranvere, më 28 shkurt 1998, Rabës, serbët ia këpusin lulen nga e cila merrte erë jete dhe ia mshelin derën me therrë. Ia vrajnë djalin e vetëm. Dhe jo vetëm. Mbesa e Rabës, vajza e vajzës së Rabës, Zahide Xhema një tjetër filiz që ishte vetëm 19 vjeçe, vritet në torturat më barbare të ushtarëve dhe paramilitarëve serbë dhe hidhet në bunar, në Qirez.

Vera e dasmës së planifikuar për Smajlin, të cilën nëna Rabë dhe dy bijat e saj e kishin pritur hasret, i gjenë ato pranë njera tjetrës, me duar në gji, lot rrëke e dhimbje që çan qiell e tokë e thajnë male.

Vazhduan jetë të tria duke u mbajtur fort për njëra tjetrën.

E vizituam sot dhe e pamë të rrethuar me njerëzit e saj. Raba po qëndronte e shtrirë në një dhomë të vogël të vajzës së saj, në Kozhicë. E mbërthyer në eshtrat e trupit të saj, me sytë thellë në gropë, shpirtlodhur, na përshëndeti dhe po na thoshte:

“Pos Perendia, Atij i kofshim falë, qysh e ka ba emër, tjetër s’bohet oj bijë!” Në ndarje na përcolli me fjalët: “Falemnderit që keni ardhë, e nuk na harroni. Zoti ju ruajtë! Por qikjo liri na ka mbajtë gjallë, të fortë e na ka flladitë pak”.

Në mur, mbi kokën e saj, po qëndronin dy fotografi, ajo e të birit dhe mbesës.

Hajria, nëna e Zahides dhe motra e Smajlit, doli dhe na përcolli deri në fund të oborrit. Kur më shtrengoi dorën fort në përshëndetje, po mendoja sesi amë e bijë trashëguan fate dhe dhimbje të njëjta jetësore. Të sprovuara me evlad, të sprovuara me vëlla, të sprovuara me skamje, të sprovuara me njëra tjetrën.

Qendresëtare. Durimtare. Aq sa qiej,male e tokë ua kanë lakminë! Ndërsa zullumi ua ka mërinë dhe zilinë.

E liria? Liria, gratë si Raba dhe Hajria e shumë të tjera si këto i ka nëna.

Nënat e lirisë.

Të ngjashme