Lajme
Përplasi për vdekje 20-vjeçarin, lihet në burg Konsulli i Nderit i Bullgarisë në Shqipëri
Demokracia
10:54 | 30 Janar 2023

Share:

Gjykata e Elbasanit ka caktuar sot masën “arrest me burg” për Aristidh Dimon, Konsullin e Nderit të Bullgarisë në Shqipëri. Dimo, 65 vjeç, u arrestua më 26 janar pasi akuzohet se ka aksidentuar për vdekje me automjet një 20-vjeçar pak ditë më parë në Elbasan.

Burimet bëjnë me dije se pasi e ka aksidentuar 20-vjeçarin, drejtuesi i automjetit ka përshkuar rrugën ku ishte nisur në një distancë të caktuar. Më pas ai është kthyer sërish në drejtim të Tiranës ku dyshohet se ka bërë disa veprime për të humbur gjurmët nga ngjarja e rëndë.

Dimo ka lënë kryeqytetin dhe ka vijuar sërish itinerarin nga Elbasani në drejtim të Qafë-Thanës ku ka kaluar kufirin. Ai ka qëndruar për disa ditë në Bullgari për t’u kthyer sërish në Shqipëri.

Mësohet se në momentin kur ka kaluar pikën kufitare, ai është në vënë në prangat e policisë. Ai është zbuluar nga prokuroria e Elbasanit pas përgjimeve të kryera, duke bërë që autoritetet hetimore të arrijnë në përfundimin se ka qenë ai shkaktari i aksidentit të ndodhur në Elbasan.

Një tjetër provë që e implikon drejtpërdrejt Dimon në këtë ngjarje është feneri i automjetit të tij i cili është gjetur i thyer në tokë menjëherë pas ngjarjes nga grupi hetimor.

Të ngjashme